“Jojo Rabbit” është një komedi familjare e gëzueshme dhe shumëngjyrëshe, por në të njëjtën kohë edhe klithje kundër mizorisë së luftës, nazizmit dhe mënyrës se si të rriturit ua imponojnë dogmat groteske fëmijëve të pafajshëm.
Me kapërcime prej marrëzisë në hidhërim, prej lumturisë në tmerr, ky është një film që ndonëse duket sikur nuk rrjedh, të lë pa fjalë. Fundja, jemi duke folur për një komedi familjare me fëmijë për Hitlerin dhe antisemitizmin.
Humori i pazakontë i “Jojo Rabbit” do të jetë i zakonshëm për secilin që i ka parë filmat e mëparshëm të Taika Waititit, përfshirë “Thor: Ragnarok”, “Hunt for the Wilderpeople” dhe “What We Do in the Shadows”, transmeton Koha Ditore.
Derisa ngjarja zhvillohet në Gjermani nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, ai disi ta kujton skeçin komik të dyshes britanike Mitchell dhe Webb, në të cilin një oficer i SS-së e pyet tjetrin: “A jemi ne të këqijtë?” Poenta është se heroi 10-vjeçar i filmit, Johannes Betzler, (Roman Griffin Davis), beson se nazistët nuk janë të këqijtë.
Për të, argëtim është të mësosh se si të gjuash me thikë dhe të djegësh libra, gjatë kohës sa ndodhet në kampin e trajnimit të të rinjve të Hitlerit.
Ai e adhuron Führerin aq shumë, saqë Adolfi, i luajtur prej vetë Waititit, na shfaqet vazhdimisht si shoku më i mirë imagjinar i tiji. Skenat në kampin e trajnimit janë përplot me batuta, ndonëse prapa tyre qëndron një e vërtetë e zymtë: për një gjeneratë gjermanësh, të mësonin se si të luftonin për Hitlerin ishte nder.
Por Johannes nuk del të jetë supermeni arian, për të cilin ka nevojë atdheu. Ai mund të mburret se “i pëlqejnë shumë svastikat”, por nuk mund ta vrasë as edhe një lepur, për ç’shkak instruktorët e kampit ia japin nofkën “Jojo Rabbit”.
Pasi kthehet në shtëpi nga kampi, nëna e tij Rosie (Scarlett Johanson) po ashtu nuk duket më aq shumë pro-Hitlerit. Me ndihmën e verës së kuqe, Rosie arrin ta ruajë pozitivitetin dhe qetësinë për hir të të birit, ndonëse bashkëshorti i saj është dërguar në një vend të largët dhe e bija i ka vdekur.
Johannes nuk ka haber për ndjenjat e vërteta të nënës, deri kur e zbulon se ajo ka fshehur një tinejxhere hebraike, Elsën (Thomasin McKenzie), prapa mureve të dhomës së fjetjes së motrës së tij të ndjerë....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)