Kulturë

Marrëdhënia speciale e Obamas me Bidenin në “Barack and Joe”

Dy fushatat e para presidenciale të Joe Bidenit shkuan si mos më keq. Qe shtrënguar të tërhiqej nga gara e 1988-s, madje disa muaj para mbajtjes së votimeve të para paraprake, kur u mësua se një pjesë e fjalimit të tij vendimtar ishte plagjiat nga lideri i partisë laburiste në Britani, Neil Kinnock.

Gara e tij e 2008-s nisi me një gafë raciste: Në ditën kur Bideni zyrtarisht paraqiti kandidimin, ai i tha një gazetari se Barack Obama ishte “i artikuluar” dhe “i pastër” – dhe përfundoi me vetëm një për qind të përkrahjes në komitetin drejtues të Iowas.

Sot, Bideni po e provon fatin për të tretën herë dhe fushata e tij presidenciale e 2020-s deri më tani është në rrugë të mbarë. I hyri garës në prill, si kandidati kryesor i demokratëve, duke mbledhur 6.3 milionë dollarë vetëm në ditën e parë.

Që prej asaj dite, ndonëse Elizabeth Warreni ia doli t’i afrohej dukshëm, vendi i tij në krye të sondazheve nuk është lëkundur.

Kjo edhe me gjithë gafat e shumta (e ngatërroi Theresa Mayin me Margareth Thatcherin; I barazoi rrëfimet e disa pjesëtarëve të ushtrisë me një përrallë; e quajti presidentin amerikan Trump “Donald Hump”); si dhe paraqitjes katastrofale në debate (nuk ia doli t’i kundërvihej sulmit të Kamala Harrisit rreth kundërshtimit të tij për bartjen e nxënësve me autobusë shkollorë); dhe, së fundi, duke qenë subjekt i sulmeve të pabazuara të presidentit Trump dhe aleatëve të tij republikanë se Bideni dhe i biri i tij, Hunter, janë të korruptuar.

Ka një mori faktorësh që ndikojnë në rejtingun aktual të Bidenit, nisur prej besimit të ngulitur mes votuesve demokratë se ai është kandidati më i përshtatshëm për t’u zgjedhur e deri te realiteti se demokratët nuk janë aq liberalë sa paraqiten në “Twitter”.

Por arsyeja më e rëndësishme për paraqitjen e fuqishme të deritanishme të Bidenit është e çiltër: Ai ka kaluar tetë vjet si nënpresident i një burri që, sipas një sondazhi, gëzon 97 për qind të mbështetjes mes demokratëve.

Bideni nuk e ka mbajtur të fshehur përpjekjen për ta kapitalizuar avantazhin. Fjalimet dhe reklamat e tija të fushatës janë mbushur plot me dedikime dhe imazhe të Obamas.

Në debatin demokrat të shtatorit, Bideni e mbrojti kundërshtimin e tij për përkujdesjen shëndetësore për të gjithë dhe e mbrojti opsionin e Aktit të përkujdesjes së përballueshme shëndetësor, duke deklaruar prerazi: “Jam për Barakun”.

Siç e shpalos Steven Levingston në librin e tij “Barack and Joe”, partneriteti midis Obamas dhe Bidenit është i vështirë – e fillimisht ishte edhe aspak i lehtë. Obama, shkruan Levingston, ishte “një riosh mendjendritur afro-amerikan që djersinte për t’i gjetur fjalët e duhura”; Bideni ishte “burrë i bardhë, i shtyrë në moshë e dashamir, ama që e thoshte me impulsivitet atë që së pari i vinte në mendje”....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)