Kulturë

“Redo” vë në pah dizajnin dhe rëndësinë e ndërtesave publike

Descriptive Text

Për tri ditë me radhë, “Redo” ishte nikoqire e 300 mysafirëve nga Kosova, por edhe nga vende të tjera për të diskutuar për çështje aktuale që kanë të bëjnë me dizajnin grafik.

Të dielën e përfundoi edicionin e nëntë. Organizoi një seri ngjarjesh dhe krijoi një trekëndësh me lokacionet e tij, shkruan sot “Koha Ditore”. Në natën e parë u mbajt në “Kino Armata”, të dytën në Sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë dhe në të tretën në bibliotekën kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

Zgjedhja e këtyre lokacioneve pati një prapavijë. Ishte një lobim që ndërtesat publike të mbesin të hapura për publikun.

Bardh Haliti, drejtor i konferencës ndërkombëtare të dizajnit grafik “Redo”, ka thënë se kjo ka ardhur si rezultat pasi asetet e ish-shtypshkronjës “Rilindja” janë shitur.

“Kemi lobu që ndërtesat publike të mbesin publike dhe të mos privatizohen. Fatkeqësisht kemi marrë vesh që edhe asetet e ish-shtypshkronjës ‘Rilindja’ janë shitur e për ndërtesën nuk kemi ndonjë informacion akoma pasi që Agjencia Kosovare e Privatizimit të Kosovës nuk po tregon se a është shitur apo jo”, ka thënë ai.

Hapësira e ish-shtypshkronjës “Rilindja” në edicionet e kaluara, siç ka thënë Haliti, ishte përdorur edhe nga “Redo”. Mbajtja e aktiviteteve kulturore në këtë hapësirë ishte ndaluar para disa javësh.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)