Kulturë

Akademia e Shkencave e Shqipërisë Nobelin për Handken e cilëson dhunim të vlerave njerëzore

Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka shprehur zhgënjim të thellë në lidhje me vendimin e jurisë së Çmimit Nobel në Letërsi, I cili iu rezervua për këtë vit shkrimtarit austriak Peter Handke.

Në një deklaratë për shtyp, Akademina e Shkencave thekson se laureimi I sivjetmë ka krijuar një gjendje shqetësimi gjerësisht në Europë e në botë, pasi, sipas saj, janë rrëzuar parimet e Çmimit Nobel. Kjo, sipas Akademisë, sepse Handke është një simpatizant i Millosheviqit dhe ka shprehur hapur urrejtjen kombëtare.

“Këtë vit ne jemi të detyruar të shprehim qëndrimin tonë, sepse kandidati i laureuar e implikon rëndë këtë parimësi, duke e paraqitur jurinë e këtij çmimi dinjitoz në standarde të dyfishta dhe shpërfillëse ndaj dukurive më të refuzuara europiane, si hate speech, përkrahja e krimeve kolektive, mbështetja publike e urrejtjes kombëtare, gjuhësore, fetare, racore, gjinore e kulturore, me shkelje të dukshme të kodit të etikës. E njëjta Akademi që akordon vit për vit Çmimin Nobel të Paqes nuk mund t’i lejojë vetes të inkurajojë me Nobelin e Letërsisë urrejtjen dhe konfliktin.”

Sa më sipër, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë duke mos paraqitur mospajtimin për çmimin, e cilëson atë si një akt të rëndë të dhunimit të vlerave njerëzore.