PEN Qendra e Kosovës kundërshton Çmimin Nobel dhënë Handkes Foto: AP

PEN Qendra e Kosovës kundërshton Çmimin Nobel dhënë Handkes

11 October 2019 12:59

Kundër dhënies së Çmimit Nobel për Letërsi shkrimtarit austriak Peter Handke, ka reaguar sot edhe PEN Qendra e Kosovës.

“Na befasoi shumë dhënia e Çmimit Nobel për shkrimtarin austriak Petre Handke nga Akadema e Shkencave të Suedisë”, thuhet ndër tjera në reagimin e tyre.

Më poshtë, lexoni të plotë reagimin e PEN Qendrës në Kosovë

Juria e këtij shpërblimi, duke ia dhënë Çmimin Handkes, ka harruar ose e ka injoruar faktin se ai gjatë tërë kohës së luftës gjenocidale të Serbisë së udhëhequr nga Slobodan Millsoehviqi ka qenë në krah dhe në përkrahje të kësaj lufte e kundër botës demokratike që u ngrit në mbrojtje të viktimave të këtij regjimi në Kosovë duke filluar bombardimet ndaj forcave serbe.

Handke ka mbrojtur edhe luftën pushtuese të Serbisë në Bosnjë e Hercegovinë

Qendra e Kosovës nuk dyshon në vlerat letrare të Peter Handkes, por kur arti kalon dhe mban anën e keqe të luftës, atëherë këto vlera nuk kanë si të shërbejnë në të mirën e njerëzimit.

PEN Qendra e Kosovës mendon se Petar Handke është shembull i kësaj.

Solidarizimi i Handkes me diktatorin dhe kasapin e Ballkanit për së gjalli e për së vdekuri të tij, dëshmon se Handke përkrah nacionalizmin e shovinzimin serb ashtu siç kanë bërë edhe shkrimtarët serbë antishqiptarë: Jovan Duçiç, Ivo Andriq, Dobrica Qosiq e të tjerë.

Madje njëri nga këta, Ivo Andriq është laureat i Çmimit Nobel për Letërsi në vitin 1961.

Andriqi ka elabouar planin për zhdukjen e shqiptarëve nag trojet e tyre etnike duke pasur edhe poste të larta diplomatike.

Handke, jo vetëm e ka mbrojtur politikën vrastare të Milloshviqit, por pas lajmit për marrjen e Çmimit, medieve serbe u ka thënë me ekzaltim “se do të vij në Beograd për ta kremtuar këtë shpërblim. Jam i lumtur që serbët janë të lumtur me mua”.

Për arsye të tilla dhe për të gjitha deklaratat anishqiptare por edhe anti evropiane e antibotërore, PEN Qendra e Kosovës kërkon nga Akademia e Shkencave të Suedisë që ta tërheqë vendimin e vet për Nobelin dhënë Peter Handkes.

ky Çmim fyen ndjenjat jo vetëm shqiptare, por përgjithësisht ato njerëzore.

Për PEN Qendrën e Kosovës, Binak Kelmendi, sekretar

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme