Teksa u shpalos vendimi se shkrimtari austriak Peter Handke fitoi një nga dy çmimet e ndara Nobel për Letërsi, juria e Akademisë Suedeze e përshkroi atë për “mjeshtërinë artistike”. Por shumë tjerë e mbajnë mend për arsye negative 76-vjeçarin, në veçanti për përkrahjen për Sllobodan Millosheviq, shkruan “washingtonpost”.
Në një lajm për reagimet ndaj austriakut, ky medium ka nxjerrë reagimet edhe nga Kosova. “Ky është vendimi më ofendues i mundshëm. Çka është në radhë? Assadi për çmimin për Paqe?”, ka shkruar ish-ministri i Jashtëm i Kosovës Petrit Selimi.
Tutje është përmendur edhe reagimi i ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku që e ka quajtur Handken “propagandues të urrejtjes dhe dhunës etnike” dhe ka ndarë fotografi të tij në funeralin e Millosheviqit më 2006.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë ka shkruar po ashtu në Twitter se Nobeli këtë vit u nda për një “mohues gjenocidi”.
Shkrimtarë e akademikë kanë shprehur po ashtu mospajtimet për këtë vendim. Historiani Orlando Figes ka shkruar se ishte thellësisht i shokuar që Handke fitoi çmimin, duke e përshkruar si “mbrojtës famëkeq të regjimit vrasës të Sllobodan Millosheviqit”.
Edhe autorja polake Olga Tokarczuk fitoi çmimin Nobel sot. Sipas “washingtonpost”, të dy autorët konsiderohen shkrimtarë të jashtëzakonshëm, por Handke është i njohur me lidhjen e tij të fuqishme me nacionalizmin serb që nga vitet e 90-a, transmeton Koha.net.
Më 1996, Handke kishte shkruar një ese për një udhëtim drejt Serbisë për gazetën gjermane “Suddeutsche Zeitung” duke e vënë në pikëpyetje portretizimin e medias për Serbinë si agresore në luftën pas kollapsimit të Jugosllavisë. “Në një përpjekje për të sjellë luftën te klientët e tyre, revistat ndërkombëtare nga ‘Time’ te ‘Nouvel Observateur’ në mënyrë të pamëshirshme portretizojnë serbët si djall e myslimanët si ‘djali i mirë i zakonshëm’”, kishte shkruar ai. Artikulli ishte publikuar një vit pas masakrës në Srebrenicë të Bosnjës, ku forcat serbe vranë mijëra civilë.
Kur NATO bombardoi Serbinë, Handke sërish doli në mbrojtje të shtetit. Më 1999, kur u paraqit në një televizion serb, ai sugjeroi se do të donte të ishte si një “murg serb që luftonte për Kosovën” dhe krahasoi gjendjen e serbëve me përndjekjen e hebrenjve.
Pas vdekjes së Millosheviqit në Hagë më 2006, teksa ai gjykohej për krime lufte, Handke foli në varrimin e tij në Serbi duke i thënë turmës prej mijëra njerëzve se “ishte i afërt me Jugosllavinë, i afërt me Serbinë, i afërt me Millosheviqin”.
Handke, babai i të cilit ishte me prejardhje nga Gjermania e nëna nga Sllovenia, i rritur afër kufirit të Austrisë me ish-Jugosllavinë, ka thënë se historia e familjes së tij ishte arsye pse ishte i interesuar për Ballkanin.
“Jam shkrimtar dhe jo gjykatës”, kishte thënë ai më 2006 për “New York Times” pas varrimit të Millosheviqit. “E dua Jugosllavinë – jo aq shumë Serbinë, por Jugosllavinë – dhe doja të shoqëroja rënien e një shteti tim të preferuar evropian - kjo ishte arsyeja përse mora pjesë në funeral”, kishte shtuar ai.
Lidhjet e tij me Serbinë kishte kohë që ishin përçmuar nga kritikë. Autori Salman Rushdie e kishte nominuar atë për “të marrin e vitit” më 1999, teksa David Rieff, shkrimtar e analist kishte kritikuar librin e Handkes për Serbinë në një rishikim të vitit 1997 duke thënë se “ai s’dinte çfarë po fliste”.
Lidhjet e tij politike kanë qenë probleme edhe për çmime tjera. Më 2006, ai ishte nominuar për çmimin “Heinrich Heine”, por çmimi ishte anuluar për shkak se anëtarët e këshillit të qytetit të Duseldorfit kundërshtuan. Kur fitoi çmimin “Ibsen” më 2014”, një akademik e krahasoi atë sikur ndahej çmimi “Immanuel Kant” për Joseph Goebbelsin”.