Kulturë

QKK sivjet me mbi 1.2 milionë euro për projekte filmike

Prishtinë, 9 tetor – Qendra Kinematografike e Kosovës sivjet ka përkrahur gjithsej 29 projekte kinematografike. Janë 1 milion e 279 mijë e 500 euro të cilat sivjet do të shpenzohen në produksione filmike. Megjithëse buxheti asnjëherë nuk ka qenë më i lartë, shteti ende vazhdon të mos u bëjë konkurrencë vendeve të rajonit sa u përket investimeve në kinematografi. Vetëm Shqipëria ka buxhet më të vogël.

Rritja e numrit të projekteve, që janë përkrahur, pritet të sjellë më shumë cilësi në këtë fushë. Por ka edhe prej atyre që janë skeptikë në këtë aspekt.

Këtu mund ta lexoni FALAS, numrin e sotëm të Kohës Ditore.

Sipas vendimeve me të cilat Këshilli Drejtues i QKK-së në fillim të këtij muaji ka zyrtarizuar propozimet e jurive vlerësuese të fundit të korrikut, janë përkrahur 13 projekte kinematografike për filma të gjatë artistikë, prej të cilëve 4 kanë marrë mbështetjen kryesore në këtë kategori, 3 për postproduksion, 4 për koproduksion minor e 2 janë debutues. Po ashtu, janë përkrahur 3 projekte për filma të shkurtër, 4 dokumentarë të gjatë e 3 të shkurtër dhe 6 projekte për zhvillim skenari.

Katërshja e fituesve kryesorë për film të metrazhit të gjatë artistik janë: “Hotline” me skenar dhe regji të Dren Zherkës me 200 mijë euro, “Toka brenda meje” me skenar dhe regji nga Fisnik Magjuni me 200 mijë euro, “Ngjyrat” me skenar të Xheraldina Vula e regji të Burbuqe Berishës me 150 mijë euro e “I Love You More” me skenar e regji të Erblin Nushit me 130 mijë euro. Kësisoj këto projekte do të marrin bashkë 680 mijë euro, mbi gjysmën e buxhetit total që ka QKK-ja për projekte filmike.

Sa u përket filmave artistikë të regjisorëve debutues janë përkrahur “I love you more” me skenar dhe regji të Erblin Nushit me 130 mijë euro, “Këngë për lule” me skenar të Roland Spahiut e regji të Baris Karamuços me 50 mijë euro, “Okarina” me skenar të Albana Mujës e regji të Alban Zogjanit me 50 mijë euro. Në kategorinë e filmave të gjatë si kooproduksion minor janë përkrahur “Sirin” me skenar dhe regji nga Senad Sahamoviq me 37 mijë euro, “M” me skenar dhe regji nga Vardan Tozija me 50 mijë euro, “Virgjëresha shqiptare” me skenar Karia Kittendorf, regji të Bujar Alimanit me 70 mijë euro, “Sister” me skenar dhe regji të Dina Duma me 50 mijë euro.

Vitin e kaluar, fillimisht në korrik qe shpallur lista e projekteve fituese me shtatë filma të gjatë – përfshirë kategorinë e filmit të metrazhit të gjatë artistik, atë debutues dhe kooproduksion minor – dy projekte të metrazhit të gjatë dokumentar, një për postproduksion, katër për zhvillim skenari, tre për film të shkurtër artistik dhe dy të animuar.

Një muaj më vonë, në gusht pas njoftimit për dyfishim të buxhetit të QKK-së, prej 700 mijë eurosh në 1.4 milionë euro, QKK-ja vendosi të përkrahë edhe tre filma të metrazhit të gjatë, katër dokumentarë të metrazhit të gjatë dhe dy projekte të kategorisë për zhvillim skenari. Do të përzgjidheshin në bazë të radhitjes së poenëve të fituar më parë. Bashkë me këtë, qenë rikthyer edhe akuzat për keqpërdorim të mjeteve. Disa e kishin cilësuar përzgjedhjen e projekteve të radhës si të padrejtë, sepse në fakt ato nuk kishin fituar kur qenë shpallur fituesit e konkursit.

Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, ka thënë se planifikimi i Këshillit Drejtues ka qenë që sivjet të përkrahen më shumë filmat e gjatë artistikë meqenëse edhe kanë kosto më të lartë të prodhimit. Zharku ka thënë se me këtë buxhet që ishte i njëjti edhe vitin e kaluar, priten rezultate më të mira edhe në cilësi.

“Normalisht që duhet të ketë më shumë cilësi pasi kemi më shumë filma e pastaj për ta buxheti është më i mirë. Rritet produksioni e ka pagesa më të mira. Në të gjitha aspektet është më mirë. Jemi të kënaqur që ka numër stabil të projekteve. Janë dhjetë filma të gjatë”, ka thënë ai.

Sipas tij, i bie që vendi çdo muaj të nxjerrë nga një projekt kinematografik. “Presim që të vazhdojmë të kemi buxhet stabil. Nëse buxheti do të ishte 2.5 deri në 3 milionë do të jemi konkurrentë edhe me rajonin”, ka thënë Zharku. Sipas tij, Serbia ofron mbështetje për projekte kinematografike me rreth 12 milionë euro në vit, Maqedonia afron 7 milionë, Mali i Zi me 2 milionë e Shqipëria me 1 milion.

“Para tetë vjetësh ta kishim këtë buxhet nuk do të ishim të gatshëm ta absorbojmë. Por jemi rritur gradualisht. Kemi produksione të fuqishme, kemi kompani që kanë pajisje teknike që punojnë edhe në rajon. Mjetet e determinojnë tregun. Kur ka mjete, ka edhe kapacitet”, ka thënë Zharku. Prej vitit të kaluar QKK-ja ka buxhet vjetor prej 1.4 milionë eurosh.

Juria e kategorisë së filmave të metrazhit të gjatë përbëhej nga: Isa Qosja, Simona Nobile, Jeton Neziraj, Kaltrina Krasniqi, Ilir Gjocaj, Agim Poçari dhe Ilir Ajdini.

Regjisori Isa Qosja ka thënë se në parim pritet të ketë më shumë cilësi në filmbërje. Sipas tij, projektet kanë bazë të mirë që të realizohen mirë.

“Nëse vazhdon me këtë trend mund të vazhdojmë të dëgjojmë fjalë të mira”, ka thënë ai. Sa i përket asaj nëse me këtë prodhimtari Kosova mund të ketë industri të filmit, ka thënë se bëhet fjalë për prodhim të bollshëm.

“Industri mund të quhet kur kemi distribuim dhe filmat nisin të kthejnë paratë. E filmat, jo te ne por edhe në Evropë, vështirë t’i kthejnë paratë”, ka thënë Qosja.

Dramaturgu Jeton Nexiraj ka thënë se dy a tre filma kanë potencial që të jenë prodhime të mira. Për të tjerët ka thënë se dyshon në bazë të skenarit që kanë.

“S’di çka quajmë ‘industri filmi’ por kisha thënë se ka buxhet solid për filma, por jo aq shumë potencial krijues”, ka thënë ai.

Juria vlerësuese për projekte filmike të metrazhit të shkurtër artistik, animacion, dokumentar, dokumentar i gjatë, zhvillim skenari dhe postproduksion për film te metrazhit të gjatë ishte në përbërje të Arzana Krajës, Visar Krushës, Ilir Bajrit, Bujar Lumës, Lura Limanit, Alban Mujës e Besa Lucit.

Këtu mund ta lexoni FALAS, numrin e sotëm të Kohës Ditore.