Objekti i Muzeut Etnologjik në Prishtinë tash e dy vjet peng i restaurimit

Objekti i Muzeut Etnologjik në Prishtinë tash e dy vjet peng i restaurimit

Shaban Maxharraj Shaban Maxharraj 08 October 2019 12:12

Prishtinë, 8 tetor – Vetëm 50 për qind e Muzeut Etnologjik në Prishtinë është e qasshme për vizitorë. Janë bërë dy vjet prejse punonjësit e këtij institucioni arsyetimin, “ajo pjesë është në restaurim” për atë që njihet si shtëpia e familjes, e përsërisin si refren përballë secilit që ia mësyn ta vizitojë.

Ndërtesa dykatëshe e shekullit XIX është zhveshur në vjeshtën e vitit 2017. Në atë gjendje edhe është ndalur puna në dhjetorin e atij viti. Asnjëherë më restauruesit e konservuesit nuk i janë kthyer vendpunishtes.

Shtëpia është e rrethuar me skele e rrjeta jeshile. Krejt çka është pozitive në këtë proces ishte pas konstatimit se ndërtesa rrezikonte edhe të shembej, një gjë e tillë është parandaluar. Pas zhveshjes së ndërtesës ishte konstatuar se gjendja ishte më e rëndë sesa që ishte paraparë. Për një vit e gjysmë kishte munguar një projekt konkret. E tash kur projekti është gati, mungojnë mjetet. Në Ligjin për buxhetin e këtij viti, restaurimi i Muzeut Etnologjik, që përbëhet nga dy shtëpi qytetare, është paraparë si investim kapital. Janë ndarë 30 mijë euro. Por dalin të jenë të pamjaftueshme.

“Projekti është gati dhe është miratuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, por me 30 mijë euro nuk mund të nisim punën. Duhen më shumë mjete”, ka thënë Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës.

Ajo ka thënë se kishte bërë një kërkesë që në rishikim të buxhetit të ndahen më shumë mjete për kompleksin “Eminxhiku”, që është në zonën që njihet si Prishtina e Vjetër. Por në korrik, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, kishte dhënë dorëheqje dhe nuk ishte bërë rishikimi i buxhetit. “Kemi bërë edhe një kërkesë për shfrytëzimin e fondeve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit por nuk është aprovuar”, ka thënë ajo. E vetmja mundësi që puna të nisë këtë vit është nëse Qeveria e re, që do të formohet pas zgjedhjeve të së dielës, mund të bëjë ridestinim të buxhetit. Përndryshe do të mbetet deri në Ligjin për buxhetin e vitit që vjen.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme