Kulturë

Mohamed Salmawy: Një film për mbretin shqiptar të Egjiptit, Mohamed Ali

Mohamed Salmawy: Një film për mbretin shqiptar të Egjiptit, Mohamed Ali

Më shumë se 3 shekuj më parë, një familje nga Zëmblaku i Korçës, shpërngulet për në Kavala të Greqisë. Janë vitet 1700 dhe kryefamiljari është tregtar. Më 4 mars 1769 familja shqiptare bëhet me djalë, historia e njeh si Mohamed Ali, sundimtari i Egjiptit.

Dinastia e tij e drejtoi Egjiptin prej 1805-ës deri më 1952. 3 shekuj më pas, një tjetër Mohamed mbërrin në Zëmblak. Është shkrimtari Mohamed Salmawy nga Egjipti, që ka mbërritur në fshat për të kërkuar gjurmët e babait të Egjiptit modern. Ka gjetur këtu të vetmen gjë që nuk mund të gjente në Kajro, shpirtin shqiptar të udhëheqësit të kahershëm. Salmawy në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” tregon projektin për një film për Mohamed Alinë me ndihmën e shoqatës së Miqësisë Arabo-Balkanike (Arab Balkans Friendship Association), që drejtohet nga Salah Abou El Magd dhe regji të Ilir Harxhit. Skenari do të jetë i Salmawy, i cili ndan me ne edhe detaje interesante dhe frymëzuese nga jeta e tij si shkrimtar, si kujtimet nga sheshi “Tahihr” ku mes më shumë se 20 milion qytetarëve kundërshtoi regjimet autokrate dhe bashkë me kolegë intelektualë mbrojtën Shtëpinë e Operës.