Kulturë

Arkeologjia kosovare përfaqësohet në Split të Kroacisë

Studiues nga vende të ndryshme për shtatë ditë do të bëhen tok në Split të Kroacisë. Ndër të tjera, do të flitet për të kaluarën e tij, e aty do të përfaqësohet edhe arkeologjia kosovare.

Prej 22 deri më 28 shtator, organizuar nga organizata kulturore “Književni krug”, Muzeu Arkeologjik dhe Fakulteti Filozofik i Universitetit të Splitit e nën patronazhin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kroacisë do të mbahet “Knjiga Mediterana”, e në kuadër të kësaj ngjarjeje kulturore mbahet edhe simpoziumi ndërkombëtar shkencor “Salona od 119. godine prije Krista do kasne antike” (Salona nga viti 119 para Krishtit deri në kohën e antikitetit të vonshëm), shkruan sot Koha Ditore.

Arkeologu Naser Ferri është i vetmi pjesëmarrës shqiptar në këtë eveniment. Do të ketë rol të dyfishtë. Të martën e 23 shtatorit do të përurohet libri i tij “Živa mitologjia - Living Mythology“ i botuar në gjuhën kroate në Zagreb dhe i financuar nga Qeveria e Republikës Kroate, e një ditë më pas Ferri, ish-student i Universitetit të Zagrebit, do të prezantojë kumtesën me titull: “I membri del esercito romano nella Dardania anticha originarii da Salona“ (Pjesëtarët e ushtrisë romake në Dardaninë romake me origjinë nga Salona).

Salona është emri i Splitit antik, në të cilin, siç ka treguar Ferri, ishte lindur dhe kishte jetuar perandori romak me origjinë ilire, Diokleciani. E kishte shndërruar në një nga qendrat e rëndësishme të Perandorisë duke e ndërtuar pallatin e vet të famshëm, në të cilin edhe kishte vdekur. Ferri, tri ditë para pjesëmarrjes në këtë ngjarje me peshë, ka folur për temën që do të shpalosë.

“Kumtesa ime trajton veteranët, ish-ushtarët e legjionit 7 klaudian (Legio VII Claudia) me origjinë nga Salona (meqë në regjion kishte ardhur nga Dalmacia në Dardani) të cilët ishin kolonizuar në rajon të kryeqendrës dardane Scupit antik, pas pushtimit romak të Dardanisë dhe rolin e këtyre veteranëve të kolonizuar në shoqërinë e jetën publike të Scupit”, ka thënë Ferri. Kjo është pjesëmarrja e tretë e Ferrit në tubime të tilla për këtë qytet antik.

“Është kjo vazhdimësi e bashkëpunimit tim me kolegët arkeologë e historianë në Split e Kroaci, mundësi për promovimin e arkeologjisë dhe të botimeve shkencore kosovare e njëkohësisht edhe për krijimin e urave të reja të bashkëpunimit individual, meqë ai institucional nuk ka ekzistuar deri më tash”, ka thënë Ferri. Ai ka shtuar se në përurimin e librit të tij organizatorët e kanë ftuar edhe ambasadorin e Republikës së Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli.

(Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)