Kulturë

Simboli i ndryshimeve të mëdha

Shenja të vuajtjes dhe krenarisë ekspozojnë muret e Bundestagut gjerman. Gjurmët e regjimeve dhe pushtuesve të Gjermanisë mund të preken kudo. Fotografitë dhe dokumentet e ngjitura skaj tyre tregojnë historinë e ndërtesës, që nga origjina e saj deri në ditët e sotme. Koleksionet e godinës simbol të Berlinit, janë të mbushura me vepra të fuqishme arti. Ato pasqyrojnë historinë e trazuar të “Reichtagut”, siç i ishte vënë emri tempullit të Perandorisë Gjermane, në fund të shekullit XIX. Disa prej tyre ngjallin polemika e debate edhe sot. Pos si gjurmë të së kaluarës, ato janë edhe shembuj për vendet që aspirojnë një të ardhme tjetërqysh. Kjo sepse ndërtesa tashmë është simbol i ndryshimeve të mëdha.

Fillimshtatori e gjen Bundestagun në pushim. Por dyert i ka të hapura për mijëra vizitorë nga vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe një grup gazetarësh nga Kosova. Ekspedita brenda objektit gjigant realizohet në grupe të ndara. Pikëtakimi i tyre bëhet në pikën më të lartë – te çatia transparente në formë kubi. Prej aty del e gjithë pamja spektakolare e kryeqytetit gjerman, shkruan sot Koha Ditore.

Gjatë ecjes nëpër pjesë të ndryshme të shoqërojnë shkarravinat, të cilave ka nisur t’u humbë boja. Por shumica prej tyre janë të lexueshme. Mbishkrime të ushtarëve rusë që sulmuan Bundestagun në vitin 1945 mund të gjenden kudo. Afër tyre janë vendosur edhe fotografi që tregojnë gjendjen e objektit para dhe pas pushtimit të rusëve.

“Ndërtesa e Reichstagut disa herë është dëmtuar rëndë. Ushtarët e Ushtrisë së Kuqe pushtuan ndërtesën si një veprim simbolik, por gabimisht duke e cilësuar atë si qendrën politike të Rajhut të Tretë. Ushtarët sovjetikë kanë lënë shenjat e tyre të përhershme me mbishkrime në muret e ndërtesës”, thotë ciceronia e Bundestagut.

Pushtimi dhe ndarja janë përcaktuese për epokën e pasluftës së Gjermanisë. Aleanca e fituesve të Luftës së Dytë Botërore – SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, në njërën anë dhe Bashkimi Sovjetik, në anën tjetër, hyjnë në një “Luftë të Ftohtë”. Gjermania u nda në dy zona të interesit. Pas ndërtimit të Murit të Berlinit më 13 gusht 1961, ndërtesa e Bundestagut mbeti ngjitur me “rripin e vdekjes”. Gjurmët e murit janë ende të dukshme në oborrin e pasmë të Bundestagut. Në Perëndim, një demokraci parlamentare, u krijua në vitin 1949. Këshilli i Parlamentit shpalli Ligjin Themeltar për Republikën Federale të Gjermanisë duke e bërë vendin shtet demokratik, social-federal. Në Gjermaninë Lindore një shtet socialist u ngjiz në mykun sovjetik, e njohur si Republika Demokratike e Gjermanisë.

(Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)