Kulturë

Del numri i 23-të i revistës “Filologji”

Numri i 23-të i revistës shkencore “Filologji” të cilën e boton Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës vjen me materiale të pasura për lexuesit shqiptarë.

Në këtë numër, akademikja Floresha Dado vjen me studimin “Skënderbeu midis historisë, mitit historik dhe mitit letrar – një çështje debati shkencor” kurse Prof. dr. Kujtim Shala sjell trajtesën “Zef Pllumi: Librat e kujtimeve”.

Prof. ass. dr. Naim Kryeziu prezantohet me “Analizë krahasuese e dy versioneve të përkthimit të poezisë së Hajnrih Hajnes “Lorelaja”, Prof. asoc. dr. Bavjola Shatro paraqet shkrimin autobiografik të Musine Kokalarit “Jeta ime universitare” – “Hyrje në Prozën natyrale të jetës së përditshme”, ndërsa profesori Besim Rexhaj në numrin e 23-të revistës sjell “Aspekte të kategorisë së vdekjes në tragjeditë e Shekspirit”, profesor Xhavit Beqiri prezantohet me “Sinonimia e Romanit ‘Oh’ të Anton Pashkut”, përcjell KultPlus.

Në këtë numër kanë kontribuar edhe studiues të tjerë që prezantohen me materiale me interes për lexuesit shqiptarë.

Klod Pishoa dhe Andre Ruse prezantohen me “Historia e përgjithshme e letërsisë”, Ilir Breca me “Identiteti letrar i letërsisë së vjetër shqipe”, Edona Jahiu me “Disa kontribute të Kolec Topallit në fushën e fonetikës” dhe Halil Asllani me “Anglicizmat dhe të kuptuarit e tyre në gjuhën shqipe”.

Revista shkencore “Filologji” e Fakultetit të Filologjisë botohet dy herë brenda vitit dhe si synim kryesor ka afirmimin e vlerave shkencore albanologjike brenda dhe jashtë vendit.