Teatri hap sezonin, Ministria kujtohet për ndërhyrje në objekt

Teatri hap sezonin, Ministria kujtohet për ndërhyrje në objekt

Shaban Maxharraj Shaban Maxharraj 18 September 2019 08:34

Prishtinë, 18 shtator – Në vizitën e tij të parë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shtatë muaj pasi kishte marrë pozitën, ministri në detyrë i Kulturës, Kujtim Gashi, kishte thënë se shumë shpejt do të rregullohet çështja e ujërave të zeza, që jo rrallë vërshojnë bodrumin e ndërtesës.

Ishte e enjtja e 5 prillit të vitit të kaluar. Por Gashi do ta lërë pozitën e ministrit pa u zgjidhur ky problem. Krejt çfarë është bërë deri më tash është hapja e një tenderi për “Intervenimet Emergjente të Pjesërishme në Objektin e Teatrit Kombëtar, Prishtinë”. Njoftimi për këtë tender është bërë më 29 korrik, kurse në ditën e 13-të të gushtit është mbyllur afati për aplikim. Planifikohen të bëhen disa ndërhyrje në nyjat sanitare, në dysheme, instalime elektrike, zhveshtore e në sallën e ushtrimeve të Baletit Kombëtar të Kosovës. Menaxhmenti i TKK-së dhe ai i BKK-së pos që kanë thënë se ndërhyrjet do të duheshin të ishin më të mëdha, nuk pajtohen fare me periudhën kur do të kryhen ato.

Me këtë rinovim Ministria e Kulturës do të bënte ndërhyrje në TKK për të pestën herë që nga paslufta. Sipas tenderit, do të kryhen punë edhe në mure, ventilim, ngrohje, ujësjellës dhe kanalizim. Vlera e parashikuar e shpenzimeve është 100 mijë euro.

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Veton Firzi, ka thënë se

“Do të bëhen punë në foaje, sallë të baletit, zhveshtore, banjë, e pastaj edhe gjëra të tjera, si kanalizimi”.

Por intervenimet e planifikuara nuk janë duke u pritur me entuziazëm në TKK e as në BKK. Agim Sopi, si drejtor i TKK-së, disa herë i ka përcjellë shkresa Ministrisë së Kulturës. Ka kërkuar rinovim të tërësishëm. Sopi, që nga e marta e kësaj jave e ka pezulluar pozitën deri pas përfundimit të zgjedhjeve, pasi që është kandidat për deputet në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se skena ka nevojë për ndërhyrje para të gjitha pjesëve të tjera.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme