Kulturë

Konkursi – i pamjaftueshëm për nxitjen e dramës shqipe

Descriptive Text

Prishtinë, 17 shtator – Fiks 22 aplikues kanë paraqitur me shifra dramat e tyre në konkursin për dramën origjinale shqipe “Katarina Josipi”. Një juri, që do të emërohet nga ministri në detyrë, Kujtim Gashi, do të përzgjedh tri drama, të cilat do të shpërblehen me të holla dhe me nga një certifikatë të nënshkruar nga ministri.

I hapur në fillim të korrikut, konkursi i përvitshëm për dramën origjinale shqipe “Katerina Josipi” synon që tri dramat e përzgjedhura t’i botojë në një edicion të veçantë në gjuhën shqipe. Si kusht kryesor për të pasur të drejtë pjesëmarrjeje në këtë konkurs, që është mbyllur më 9 shtator, ka qenë që “dramaturgët të jenë shtetas të Republikës së Kosovës”.

Jehona Shyti, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës në MKRS, ka thënë se interesimi ka qenë më i madh sesa në vitet e kaluara.

“Kanë qenë 22 aplikime ose drama në konkurs. Sivjet ka pasur më shumë interesim krahasuar me vitet e tjera. Jemi të kënaqur me numrin e madh të aplikimeve, gjë që do të thotë se ne jemi në rrugë të mirë”, ka thënë ajo.

Ndarja e çmimeve pritet të bëhet më 9 nëntor, në ditëlindjen e Katarina Josipit, por kësaj do t’i paraprijë vlerësimi i jurisë pesë- anëtarëshe, që do të përzgjidhet nga ministri Gashi.

Në fakt, konkursi në dy vjetët e kaluar nuk ka qenë i frytshëm. Vitin e kaluar me vetëm katër konkurrentë nuk ishte shpallur fituesi e më 2017, MKRS-ja s’e kishte hapur fare konkursin e themeluar më 2009, e të menaxhuar nga Teatri Kombëtar deri më 2013, kur kompetencat për të i mori MKRS-ja. Atë vit në garë kishin qenë 44 drama, dyfishi i atyre që janë sivjet.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")