Kulturë

'Jojo Rabbit' fiton çmimin kryesor në Festivalin e Filmit në Toronto

Filmi Jojo Rabbit ka fituar çmimin kryesor në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto.

Filmi satirik për Luftën e Dytë Botërore shpërfaq një djalosh të vogël në Gjermani që zbulon se nëna e tij është duke fshehur një vajzë hebreje në shtëpinë e tyre.

Në rolet kryesore të filmit shihen aktorët, Scarlett Johansson dhe Roman Griffin Davis.

Kjo fitore e fut filmin Jojo Rabbit në listën e ngushtë të filmave që mund të fitojë çmimin Oscar në kategorinë e filmit më të mirë më 2020, pasi fitorja në Toronto konsiderohet sukses në sezonin e çmimeve filmike.

Vitin e kaluar, filmi Green Book që ka fituar këtë çmim në Toronto është shpërblyer edhe në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oscars.

Përveç Green Book, rrugën e njëjtë e kanë ndjekur edhe filmat, Slumdog Millionaire, The King's Speech dhe 12 Years A Slave.

Ndarja e çmimit kryesor në festivalin e Torontos caktohet në bazë të votave të anëtarëve të publikut në festival, ndonëse organizatorët nuk tregojnë saktësisht si numërohet rezultati.

Jojo Rabbit është film në regji të Taika Waititit.

Ky film do të prezantohet edhe në Festivalin e Filmit në Londër në muajin tetor, derisa në kinema do të nisë së shfaquri në janar të vitit të ardhshëm.