Shuhet në moshën 86-vjeçare albanologu i njohur gjerman Wilfried Fiedler

Shuhet në moshën 86-vjeçare albanologu i njohur gjerman Wilfried Fiedler

Shaban Maxharraj Shaban Maxharraj 12 September 2019 10:05

Viti 1955, gjuhëtarin asokohe të ri e premtues do ta gjente si asistent shkencor në Akademinë e Shkencave të Berlinit.

Këtë pozitë, Wilfried Fiedler e kishte marrë pas mbarimit të studimeve për sllavistikë dhe filologji të Evropës Juglindore në Universitetin e Berlinit. Pikërisht në vitet ‘50 ai do të niste të merrej edhe me gjuhën shqipe, shkruan sot Koha Ditore.

Një tjetër talent i tij, do të bëhej shkas që shqipja në të ardhmen të jetë pjesë e studimeve të tij, duke u bërë një prej albanologëve më të zot gjerman. I interesonte muzika e ishte edhe mjeshtër i oboas. Nisi të mësonte shqip pasi ishte ftuar të bashkëpunonte për studimin e këngëve çame.

Fiedler, i cili ka lënë prapa vetes një numër veprash të rëndësisë së veçantë për albanologjinë, ka vdekur në moshën 86-vjeçare. Vdekja e tij konsiderohet si një humbje e madhe për albanologjinë. Kolegët e tij e vlerësojnë si njërin prej albanologëve më të njohur të kësaj kohe e padyshim më të rëndë­sishmin në ha­pë­sirën gjuhësore gjermane të këtij gjysmëshekulli. Për vdekjen e tij, nëpërmjet një komunikate, mbrëmjen e së mërkurës ka njoftuar Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.

I lindur në Oberfrohna të Gjermanisë, më 7 maj 1933, qysh në vitet ’50 bashkë me Erih Stokmanin mori pjesë në ekspeditën në Shqipëri. Në biografinë që e ka përcjellë AShAK-u bashkë me njoftimin për vdekjen e tij, shkruhet se nga viti 1959, Fiedler ishte mësimdhënës për gjuhën, letërsinë dhe folklorin shqiptar në Berlin. Ajo që asokohe ishte Republika Demokratike e Gjermanisë, si vend komunist në kuadër të Bashkimit Sovjetik, kishte bashkëpunim me Shqipërinë komuniste të kohës.

E Fiedler qysh më 1955 qëndroi për qëllime hulumtimi në Shqipëri. Më 1961 doktoroi në fushën e ballkanologjisë në Universitetin e Humboldit. Ishte bashkëpunëtor shkencor në Komisionin e gjuhësisë (1963-1967) dhe në Institutin për Gjuhët dhe Kulturën Romane në Akademinë e Shkencave të Gjermanisë në Berlin (1967-1968).

Bashkë me Oda Buchholz drejtoi grupin hulumtues për ballkanistikë në kuadër të Institutit Qendror të Gjuhësisë së Akademisë së Shkencave në Republikën Demokratike të Gjermanisë në Berlin (1968-1988). Më 1988 mbrojti tezën e habilitacionit në fushën e albanologjisë në Universitetin e Humboldit. Prej vitit 1989 dhe deri më 1998 ishte profesor i albanologjisë në universitetin “Ludwig-Maximilian” në Munih. Më 1991 u zgjodh anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (AShAK).

Sa u përket veprave të tij në albanologji veçohet gramatika deskriptive për gjuhën shqipe, të cilën e shkroi në bashkëpunim me Buchholz “Albanische Grammatik”, e botuar në Leipzig më 1987. Bashkë me Bucholz dhe Gerda Uhlisch hartoi Fjalorin shqip-gjermanisht, ndërsa bashkë edhe me Adrian Klosin, Fjalorin gjermanisht-shqip. Lista e gjatë e studimeve nga fusha e albanologjisë dhe ballkanistikës përfshin monografitë “Sistemi foljor i gjuhës shqipe të Gjon Buzukut (1555)” më 2004 dhe “Formimi i shumësit të gjuhës shqipe” më 2010, që janë botime të AShAK-ut.

“Vepra e tij për sistemin foljor të gjuhës së Buzukut, në të vërtetë, është një monografi e gjerë (mbi 800 faqe) për gjuhën e këtij autori në tërësi, me një përqendrim te sistemi foljor. Monografia e tij për shumësin në gjuhën shqipe është rezultat i hulumtimeve prej disa dekadash dhe paraqet monografinë më të gjerë të shkruar ndonjëherë për këtë çështje”, shkruhet në komunikatën e AShAK-ut. Vepra e fundit e tij, e botuar po ashtu nga ASHAK-u më 2018, është “Gramatika e krahasuar e gjuhëve të Ballkanit”, Pjesa I, “Sistemi foljor” me 826 faqe në gjermanisht, një nga kryeveprat e ballkanologjisë.

Pritej të mbaronte pjesën II për sistemin foljor. Fiedler ka përkthyer dhe vepra të letërsisë shqipe në gjuhën gjermane, ndër to “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe novela të Ismail Kadaresë, poezi të Martin Camajt e të Ali Podrimjes. Ishte profesor i jashtëm për gjuhë shqipe në Institutin për Studime për Evropën Juglindore në universitetin e Jenës “Friedrich Schiller”....(Më gjerësisht, sot në "Kohën Ditore").

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme