Kulturë

Artistët nuk mund ta përfaqësojnë një komb, thotë dyshja e “IRWIN”

Descriptive Text

Prishtinë, 11 shtator – Në fillim të viteve ‘80 të shekullit të kaluar në gjashtë republikat e dy krahinat e ish-Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë kishte nisur të kundërmonte nacionalizëm. Veçmas ai serb mori hov pas vdekjes së mareshalit Josip Broz Tito. Kjo shpiu edhe në shpërbërjen që nisi në vitet ’90.

Por përderisa një fuqi si ish-Jugosllavia kishte nisur rrugën e ndarjes, pesë artistë sllovenë do të bashkoheshin më 1983. Dushan Mandiq, Miran Mohar, Andrej Savski, Roman Uranjek dhe Borut Vogelnik u bënë bashkë atë vit në Lubjanë për të formuar kolektivin “IRWIN”. Ata zgjodhën që të merren me një lloj riprodukimi të veprave të njohura të artit në botë duke tërhequr vëmendje e duke ngritur shumë pyetje për sfida të ndryshme të shoqërive. Të paktën sa i përket publikut, kulmuan më 1992 me atë që njihet si “NSK Shteti nė Kohė”, shkruan sot Koha Ditore.

Bëhet fjalë për një shtet që shpërndan edhe pasaporta, por nuk ka territor. Është shtet i mendjes e jo i hartave. Konsullatat e këtij shteti janë në disa vende të botës. Ndër vite ishin jo të paktë ata që ia mësynë të marrin pasaporta edhe online, duke llogaritur që bëhet fjalë për një shtet të vërtetë e jo për një provokim artistik. Miran Mohar, anëtar i kolektivit slloven, në një bisedë me artistët kosovarë mbrëmjen e së hënës në “Kino Armata” në Prishtinë, një natë para hapjes së ekspozitës së kolektivit në Galerinë Kombëtare të Kosovës “Shteti në kohë”, ka thënë së pesëshja kishte udhëtuar drejt Rusisë para se ta “krijonin” shtetin. Në Moskë kishin “themeluar” një ambasadë dhe bashkë me disa artistë rusë kishin lëshuar një deklaratë që është pjesë e ekspozitës në GKK.

“Kur u kthyem nga Moska e bëmë shtetin”, ka thënë ai. Më pas kishin “pushtuar” Teatrin Kombëtar të Bosnjë-Hercegovinës në Sarajevë në prag të luftës, duke e shndërruar atë në disa ditë si ambasadë. Ai ka treguar se shteti i tyre ishte themeluar për të ofruar një shtet të mendjes e jo të territoreve. Kufijtë për kolektivin janë diçka që nuk duhet të ndajnë njerëzit. Më 2010 do të mblidheshin në Berlin për të mbajtur një kongres, ku bashkë me artistë evropianë kishin biseduar se nga duhet të shkojë “NSK shteti në kohë”.

“NSK filloi si vepër arti e tash nuk e dimë se çfarë do të bëhet me të. Është një reflektim se çfarë shteti duam”, ka thënë ai.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")