Kulturë

Familja e orëndreqësve

Së paku pesë mjeshtër të orëve kanë mësuar se si bëhet kjo punë nga Sahit Durguti. Të pestët janë bijtë e tij, e katër prej tyre vazhdojnë të merren me këtë zeje. Ferati është njëri ndër ta. Përveç zanatit, ai ka trashëguar më së shumti nga nami i të atit, meqë e zhvillon këtë aktivitet në vendin e njëjtë ku punonte edhe babai i tij.

Ai ishte autodidakt. Nisi në fillimin e gjysmës së dytë të shekullit të kaluar që të punojë si orëndreqës, në vendlindje, Rahovec, shkruan Koha Ditore.

Dyqani i vogël në qendër të këtij qyteti është një lloj minimuzeu i orëve. Në mure janë të vendosura orë, njëra prej të cilave ka një histori të veçantë. Serbët e kishin vjedhur gjatë luftës së fundit në Kosovë, në ofensivën e ’98-s në Rahovec. E pronarit do t’i kthehej krejt rastësisht 17 vjet pas. Dhjetëra orë xhepi janë të ekspozuara në një dollap i mbuluar me xham, e shumë prej tyre më shumë se 100 vjet të vjetra.

Ora që iu rikthye pas 17 vjetësh

I qetë e ngadalë, Ferat Durguti kthehet prapa në kohë, derisa me dorën e djathtë thërret për ta orientuar shikimin te një orë muri.

“A e sheh këtë orë, është shumë interesant historia e saj”, thotë Durguti, si paralajmërim për një rrëfim që duket si film.

“Është orë ose e Zvicrës ose e Gjermanisë. Baba im ka qenë ushtar më duket në vitin 1932, dhe e ka sjellë këtë orë nga Zagrebi i Kroacisë”, thotë ai.

Por historia e orës është e lidhur me serbët.

“Para luftës në Kosovë ka pasë ardhur një burrë nga Beogradi, pat hyrë në dyqan dhe e shikonte orën. Unë i them: ‘Urdhno, si mund të të ndihmoj’. Nuk fliste njëherë. Dikur më tha: ‘Sa e ka çmimin kjo orë?’ I thashë që nuk është në shitje. Më tha se do ta paguante 1 mijë marka. Ishte bërë operacion prej zemrës, dhe më tha se po do që t’ia bëjë dhuratë doktorit të tij. Nuk pranova ta shes, se e kisha shenjë të babës”, rrëfen Durguti.

Por lufta do të ishte shkatërruese, ndër të tjera, edhe për dyqanin e familjes Durguti... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)