Kulturë

“Red Tape” si provokim nga artisti për të cilin flamujt s’kanë vlerë

Prishtinë, 3 shtator – Identiteti dhe flamuri janë dy çështje, të cilat e kanë shoqëruar artistin Driton Selmani. Ata kanë reflektuar edhe në veprat e tij, veçanërisht në veprën “Red Tape”, për të cilën Selmani ka folur në të hënën mbrëma në “Kino Armata”.

Është hera e dytë që artisti shpalos rrëfimin prapa kësaj vepre me të cilën në janarin e vitit të kaluar flamurin kombëtar në hyrje të Prishtinës e zëvendësoi me atë të “Offside” të futbollit. Për të kishte folur edhe në qendrën për art bashkëkohor “Stacion”, dy javë më parë. Dy herë kishte tentuar ta konkretizonte Selmani “Red Tape”. Ia doli me të tretën e për këtë punë pati edhe me Policinë e Kosovës. U dënua me gjobë prej 200 eurosh e kompania që i asistoi me 400. Edhe këtë pjesë e ka rikthyer në rrëfimin e tij. Por kryetemë e bisedës ka qenë zanafilla e veprës.

Duke biseduar për identitetin e tij, se si e ka përjetuar kohën e ish-Jugosllavisë, luftën ndaj Serbisë, ku çlirimi e bashkimi kombëtar ishin synime, e pastaj edhe Kosovën si shtet të pavarur e demokratik, Selmani ka thënë se ai beson në vlera të tjera e jo në flamuj. Ka thënë se nuk dëshiron që të lidhet për asnjë flamur, pasi ky simbol s’është më pjesë e identitetit të tij.

“Ndoshta për faktin se jam rritur duke ndërruar aq shumë flamuj në vendin tim, flamurin e Jugosllavisë, Shqipërisë, Kosovës. Mjaft shumë për mua, e nuk mund të lidhem me këtë. Kam një situatë neutrale ndaj tij. Për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur e që kanë ndikuar në mua nuk mund të lidhem me flamuj dhe nuk besoj në to”, ka thënë ai. Selmani ka potencuar se beson në vlera të tjera.

“’Red tape’ 2018 ofsajd - mbiemër, ndajfolje / në mënyrë të paligjshme përtej një linje ose zone të përshkruar; përpara topit në ­fillim të ose gjatë lojës. Rreth ­flamujve njerëzit dhe shoqëritë formësojnë identitete. Ata krijojnë ndjenjën e përbashkësisë, ndërtojnë shpresën dhe optimizmin, ndjenjën e krenarisë, krijojnë rrë‑me dhe ju besojnë atyre. Kështu ka qenë gjithmonë; mund të hamendësojmë se kështu edhe do të vazhdojë”, kishte qenë përshkrimi i veprës së tij, një provokim artistik që ngjalli jo pak reagime...(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")