Kulturë

Rikrijimi i luftërave në paqe

Descriptive Text

Nuk ka rëndësi nëse është Waterlooja apo Stalingradi, rikrijimet e betejave po gëlojnë. Në Weimar, gjërat janë më pak të përgjakshme: aty, po riluhen copëza nga Asambleja Kombëtare.

Hipur mbi kalë, Napoleon Bonaparta inspekton frontin. Qindra ushtarë të tij kanë marrë pozicione në portat e Brukselit. Kundrejt francezëve ndodhet ushtria e gjeneralit anglez Wellington. Përsëri e përsëri buçasin breshri mushqetash e goditje topash.

Pak orë më vonë, beteja e Waterloosë ka mbaruar. Ushtarët e të dyja taboreve ulën paqësisht rreth zjarrit të kampit. Nuk pati vrasje e as plagosje më 2019. Për dallim nga 1815-a, kur disa mijëra ushtarë humbën jetën në Waterloo.

Përsëritja e betejave të famshme është bërë një veprimtari që po lulëzon. Nga topat e deri te kopsat e uniformave, gjithçka është sa më afër origjinalit që është e mundur, shkruan DW, transmeton “Koha Ditore”. Madje edhe në sheshbetejë, njerëzit nuk hapin zjarr kuturu; ata përpiqen për një shkëmbim sa më autentik zjarri. Por sot, ndryshe nga 200 vite më parë, ka anglezë në uniforma franceze dhe belgë e gjermanë në ato të trupave të Wellingtonit.

Edhe përsëritjet e tjera janë të ngjashme: një anglez mund të vihet në uniformën gjermane SS dhe të hapë zjarr nga llogoret kundër bashkatdhetarëve të tij. Dhe në Betejën e Pyllit të Teutoburgut, një gjerman luan një romak dhe një italian luan gjermanin.

Ka plot burra e gra që sjellin në jetë historinë nëpërmjet procesioneve historike dhe ngjarjeve të tjera. Sidoqoftë, betejat historike janë veçanërisht popullore gjithandej Evropës, të tilla si Beteja e Waterloosë apo Stalingradit. Dhe në Shtetet e Bashkuara, ata pëlqejnë të portretizojnë betejat e luftës qytetare amerikane mes shteteve veriore dhe atyre jugore. E famshmja Betejë e Gettysburgut, gjatë së cilës gjenerali i Konfederatës Robert E. Lee u mund nga kundërshtari i tij më 1863, ishte rikrijuar 50 vjet më vonë pasi kishte ndodhur.

Në Angli festivali “Ringjallja e Luftës dhe Paqes” mbahet përvitshëm. Rreth 4 mijë mjete ushtarake nga Lufta e Parë Botërore e deri te mjetet e teknologjisë së fundit nga historia e ditëve tona prekin zemrat e fansave të garave ushtarake – siç bëjnë edhe përsëritjet e ndryshme të betejave nga kjo periudhë. Rreth 100 mijë vizitorë ndjekin spektaklin. Dhe ngjarja nuk do të përdorte fjalën “Paqe” në emërtimin e vet nëse nuk do të paraqiteshin edhe skena paqësore nga fronti në vendlindje. Vizitorët mund të kridhen në vitin 1943 dhe mund të shohin gratë e ushtarëve në jetën e tyre të përditshme në fshat apo të ndalojnë për një vallëzim.

Krahas asocimeve të panumërta që kanë të bëjnë me përsëritjet burimore të ngjarjeve historike, ka edhe grupe komerciale të rikrijimit që performojnë para audiencës në raste të ndryshme, të tilla si në tregjet mesjetare. Veçmas në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar, shoqatat e turizmit shpesh përdorin aktorë me kostume për të ilustruar ngjarjet historike para publikut.

Historiania Ulrike Jureit shpjegon në një trajtesë se ngazëllimi pas rikrijimeve është i lidhur me “magjinë e autenticitetit” dhe përvojën emocionale dhe ndjenjësore. Por ajo vë re, gjithashtu, se rikrijimi i ngjarjeve historike është më shumë një “formë e dyshimtë e kujtesës”. Të identifikohesh me një figurë historike nuk do të thotë sakaq se një ngjarje historike – pavarësisht përpjekjeve të ndershme – është e përfaqësuar si duhet.

Historianët e specializuar shpesh ankohen se rikrijimeve u mungon themeli shkencor dhe thellësia historike. Ata që luajnë shpesh mbështetet në filma fantastikë apo seriale për t’u frymëzuar kur rikrijohen ngjarje që kanë ndodhur herët, përfshirë edhe betejat mesjetare.

Lojtarëve në rikrijime nuk u bëhet vonë për të tilla kritika, ata thjesht e shijojnë atë çfarë bëjnë. Përjetimi nga afër i historisë, fjala vjen në shumë tregje mesjetare apo procesione historike, është bërë tejet popullor në Gjermani. Rikrijimi i betejave në tokën gjermane dhe kremtimi i komandantëve dhe gjeneralëve gjermanë nuk është i shpeshtë, ndër të tjerash, edhe për faktin se gjermanët janë të ndjeshëm në dritën e së kaluarës më të re.

Kështu që rikrijimi më 21 dhe 22 gusht i shpërnguljes së deputetëve nga Asambleja Kombëtare më 1919 ishte një çështje paqësore në festivalin e artit në Kunstfest Weimar, duke shënuar një ditë me piktura ikonike të deputetëve të mbledhur në shkallët dhe ballkonin e Teatrit Kombëtar.