Pjetër Bogdani, mjeshtër i formave të ligjërimit

Pjetër Bogdani, mjeshtër i formave të ligjërimit

21 August 2019 14:47

Sot, në ditën e tretë të Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare u mbajt tryeza kushtuar figurës së Pjetër Bogdanit.

Drejtuesi i kësaj tryeze shkencore prof. Osman Gashi foli në pika të shkurtra për biografinë e Bogdanit dhe formimin e tij derisa më pas prezantoi panelistët.

Prof. Kujtim Shala, prof. Evalda Paci dhe Dom Lush Gjergji ishin panelistët e tryezës së sotme të mbajtur në sallën “Idriz Ajeti” të Fakultetit të Filologjisë.

Kumtesa e parë me titull “Libri i Bogdanit” u lexua nga prof. Kujtim Shala i cili u fokusua te vepra madhore e Pjetër Bogdanit “Cuneus prophetarum”. Siç transmeton KultPlus, Shala e quajti Bogdanin mjeshtër të formave të ligjërimit dhe bëri pyetjen se a është aktual Bogdani?

“Bogdani lexohet edhe sot ndërsa leximi është provë klasiciteti. Një vepër e kryer, kryerjen e ka në idetë e saj, ndërsa përkryerjen në diskurs. Të lidhura bashkë dhe të prera për nga saktësia idetë dhe format janë shenjat tipike të veprës së Bogdanit”, tha Shala.

Më tej ai foli për statusin e autorit në kohën e Bogdanit.

Image

“Komentatori dhe auktori ishin autoritetet e retorikës së literaturës kishtare. Retorika religjioze jep mësimin e virtytit me të gjitha shenjat e diskursit bindës” shpjegoi ai.

“Veprat e tilla strukturohen duke pasur parasysh predikumin. Ligjëratat e Bogdanit janë morale, dhe ato shënjojnë strukturën retorike që na çojnë te sistemi logjik”. Tutje ai foli për rrugën, jetën dhe të vërtetën në veprën e Bogdanit. “Libri i Bogdanit na çon te virtyti për të kërkuar shpëtimin te Krishti Zot — ‘Zot na shpëto, mbaruam’. Vepra e kryer e Bogdanit është rezultat i punës së gjatë”, potencoi Shala.

Profesoresha Paci në kumtesën e saj trajtoi shërbimin e Bogdanit për dijen dhe atdhesinë.

“Vepra e Bogdanit është realizim kompleks si nga përmbajtja dhe vëllimi dhe ndërthurja e krerëve përbërëse la gjurmë të ndjeshme në personalitetin e këtij autori”, theksoi ajo. Dom Lush Gjergji në kumtesën e tij me titull “Imzot Pjetër Bogdani njeri i fesë, kombit dhe kulturës”, tha se vepra e tij nuk mund të kuptohet pa dimensionin e fesë dhe besimit. Ai tha sa Bogdani kishte përgatitje filozofike, teologjike, shpirtërore dhe kulturore në nivelin më të lartë.

“Ai kishte qëllim mbrojtjen e popullit shqiptar nga ndikimet dhe sundimet e të huajve, zhvillimin fetar kulturor dhe shpirtëror dhe shlirimin nga robëria dhe injoranca nëpërmjet zgjimit fetar dhe kombëtar si parakusht për vetëdijesim nga sundimi shekullor turko-otoman”, tha mes tjerash Dom Lush Gjergji në këtë tryezë kushtuar Bogdanit me rastin e 330-vjetorit të vdekjes së tij.

Në ditën aktivitetet e Seminarit do të vazhdojnë në Fakultetin e Filologjisë, me kurse të gjuhës dhe ligjërata.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme