Në përgjithësi, problemi me komunikimin publik në ambientin social dhe politik shqiptar qëndron në faktin se ballafaqohet me vështirësinë e krijimit të standardit komunikues dhe “veprimit komunikativ racional” (koncepcion i Jurgen Habermasit) në artikulimin e problemeve të përditshme sociale, shkruan sot Koha Ditore.
Sfera e komunikimit publik tek ne ngjan më shumë në sferë emotive dhe private dhe me tendenca denigrimi të tjetrit, sesa në një sferë racionale publike, apo edhe profesionale në të cilën gjuha e debatit tenton të jetë gjuhë e argumentit dhe e diskutimit të zgjidhjes së problemeve që kanë karakter publik dhe i shërbejnë publikes. Kjo kryesisht ka ngjarë për shkak të fazave të tejzgjatura transitive që ka kaluar shoqëria shqiptare, në të cilat pushtetet dhe elementët që lidhen me to e shfrytëzojë gjendjen e kaosit për të vendosur diktatin e veprimit politik mbi sferën publike, duke mos lejuar që sfera publike dhe mendimi intelektual, qoftë politik, qoftë social, të determinojë aksionin dhe sjellën politike.
Siç thekson sociologu Ibrahim Berisha në librin eseistik, Urtia e Pafuqishme, në shoqëri të gjendjes së kaosit “Idetë nuk diskutohen dhe sistemi prodhon kacafytje, të cilat për të filluar marrin si shkak probleme sipërfaqësore”. Ai thekson, po ashtu, se shoqëria e gjendjes së kaosit, “Sytë i mban kah themelet e shoqërive tjera, qoftë për t’i admiruar, qoftë për t’i mallkuar”. Po të analizohen debatet televizive, apo të shqyrtohen dhe analizohen opinione e shkrime të ndryshme, do të vërejmë se një pjesë e përmbajtjeve të tyre, në brendësi kanë elemente të tilla të trajtimit të cilat minojnë përpjekjet, për ngritjen e cilësisë së komunikimit dhe veprimit racional komunikativ brenda një shoqërie, dhe për më tepër shërbejnë si zhvendosje e paramenduar ose jo, e vëmendjes nga problemet konkrete dhe esenciale me të cilat ballafaqohen qytetarët.
Në rastin e Kosovës, sfera e komunikimit publik ballafaqohet me probleme edhe më të rënda kryesisht si rezultat i mungesës së konsolidimit të një hierarkie vlerore brenda sistemit, me ç’rast sot kemi një nivel të degraduar të komunikimit, i cili me kalimin e kohës vetëm sa e riprodhon vetveten, pa tendencën e ndryshimit. Vlen të përmendet niveli i diskursit të komunikimit brenda Parlamentit të Kosovës.
Pastaj niveli i komunikimit nëpër institucione publike, si dhe çka është më e rëndësishmja në një botë virtuale të teknologjizmit informativ, niveli i komunikimit të personaliteteve publike në Kosovë. Këtu duhet sqaruar se nuk është problemi tek gjuha si mjet komunikimi, madje as zhargoni i saj, por problemi qëndron në kapacitetet racionale dhe argumentuese të atij komunikimi, i cili në të shumtën e rasteve është tendencioz, denigrues, dhe pa përmbajtje profesionale. Ky komunikim që në masë të madhe shpreh gjuhë arbitrariteti e ndonjëherë edhe force, në një mënyrë e legjitimon standardin e ulët të komunikimit publik në shoqëri, si dhe minon tendencat e ndryshimit të vetëdijes qytetare në vend. /Albert Mecini
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)