Shtatëdhjetë vjet pas ndarjes, gllabërimi i Kashmirit nga India është fundloja e Devrahit, biznesmenit nacionalist indian që është protagonist i novelës sime të vitit 2017 “We That Are Young”. Taktika e tij është kolonizimi me ardhacakë: ai po hap një hotel me shtatë yje në Srinagar. Por sipas nenit 370 të Kushtetutës indiane, e cila mes të tjerash ndalonte jokashmirasit që të kishin prona atje, ai nuk do të duhej të lejohej ta ndërtonte atë, shkruan sot Koha Ditore.
Në jetën e vërtetë neni 370 është shfuqizuar njëanshëm javën që shkoi nga qeveria indiane. Popullata e Kashmirit u vendos nën rrethim; pati mungesë ilaçesh dhe ushqimesh për foshnja, njerëzit nuk lejoheshin të flisnin me familjarët e tyre jashtë shtetit. Ka pasur njoftime se policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe armë të peletit për të shpërndarë protestat paqësore.
Bashkësia ndërkombëtare është zënë e papërgatitur. Por Kashmiri njihet qyshkur si një nga rajonet më të militarizuara në botë. I qerthulluar mes Indisë dhe Pakistanit, njerëzit aty për dekada të tëra kanë vuajtur nga shkelja e të drejtave të njeriut dhe dhunës shtetërore. Një grumbull letrash nga arkivat e Kombeve të Bashkuara që nga viti 1947 zbulojnë goxha shumë mbi diplomacinë ndërkombëtare, veçmas mungesën e vullnetit politik për të ndërhyrë.
“Curfewed Night” është memoria e paharrueshme e shkrimtarit kashmiras Basharat Peer. Ai ishte vetëm 13 vjeç në vitin 1989, kur lëvizja separatiste përshkallëzoi në dhunë. Ai shkruan mbi dëshirën për vetëvendosje, për përgjigjen brutale indiane. Për miqtë që braktisën fshatrat e tyre për t’u stërvitur si luftëtarë në Pakistan; për ata që u “zhdukën”, me gjasë në qendrat torturuese indiane, dhe “gjysmëdritaret” e lëna pas.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)