Kulturë

Nis zyrtarisht 'Hardh Festi'

Me moton “Një got' për mot” edhe zyrtarisht sot është bërë hapja e festës së rrushit “HardhFest 2019”, festë kjo e cila promovon vlerat kulturore të vendit tonë.

Me aktivitete të shumta, për tre ditë me radhë, 16, 17 dhe 18 të këtij muaji, “Konaku” i Rahovecit do ofroj aktivitet të shumta për vizitorët e saj.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi tha se vreshtarët e Rahovecit po ndihmojnë në zhvillimin e vendit.

Thaçi po ashtu u shpreh se vera e Rahovecit tashmë gjendet kudo në botë.

Kryeministri në dorëheqje Kosovës, Ramush Haradinaj theksoi se institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë me politika fiskale, e lirimet tatimore pasi vetëm në këtë mënyrë Kosova do të shënojë rezultate të prekshme si rasti i Rahovecit.

Ai tha se në Rahovec gjendet një model i njerëzve që me punën e tyre kanë krijuar vlera, prandaj tha se institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë t’i përkrahin ata.

I pranishëm në hapjen e festës së rrushit “HardhFest”, ishte edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i cili deklaroi se vera e Rahovecit po zë vend çdo ditë e më shumë edhe në tregun shqiptar.

Duke shpresuar që Kosova dhe Shqipëria të rrisin shkëmbimet mes tyre, Meta u shpreh se Kosova dhe Shqipëria duhet të bëjnë më shumë për të vënë në lëvizje potencialet e jashtëzakonshme që kanë.

E, kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi deklaroi se festa e rrushit i bashkon të gjitha palët e interesit që të jenë më aktiv në jetën shoqërore dhe kulturore për promovim të vlerave të shtetit të Kosovës.

Në ceremoninë e hapjes së festës së verës “HardhFest” u shpallën edhe vreshtarët më të mirë dhe ata janë: Enver Haxhimustafa, Samir Hoxha, Bilall Dërguti, Eqref Rama, Fitim Hamza, dhe Ramadan Hajda.

Përveç hapjes zyrtare të festës së rrushit sot janë organizuar edhe një sërë aktivitetesh tjera siç janë hapja e Panairit të rrushit, verës, rakisë dhe gastronomisë, demonstrimi i pjekjes së rakisë rreth kazanit, hapja e Hardh Campi, zgjedhja e Mbretëreshës së Rrushit, dhe muzikë të interpretuar nga “Legends” & Hardh Eks, Pop/Rock & DJ Koncert n’Konak.