Kulturë

Ekspozita që eksploron ish-bazën ushtarake në ishullin e Sazanit

Historia e ishullit të Sazanit, një ish-bazë ushtarake e cila akoma ruan bunkerë dhe tunele të panumërta, të cilët u ndërtuan për t’u bërë ballë sulmeve bërthamore akoma ngjallë interesim për njerëzit. Së fundi pesë fotografë bashkëkohorë kanë fotografuar këtë ishull dhe prezantuar pamjet që ata kanë kapur në ekspozitën “Sazani: Toka e askujt”.

Ekspozita, e cila është hapur në Galerinë e Bregdetit, në Radhimë të Vlorës paraqet një pasqyrë të ishullit përmes fotografive të realizuara nga Helidon Gjergji, Dritan Hyska, Gaime Meloni, Abi Shehu dhe Gerta Xhaferaj.
Objektet e braktisura të ishullit të Sazanit ishin përcaktuar të mbanin mbi 300 trupa ushtarake me furnizime të bollshme me ushqime, armatime dhe karburant për anijet, deri në 6 muaj. Aty gjendet dhe një shkollë e shkatërruar ku do mësonin fëmijët e familjeve të ushtarakëve.

Dy kuratorët e ekspozitës Elian Stefa dhe Niku Aleks Muçaj kanë thënë se “Sazani: Toka e askujt” është një reflektim vizual dhe përsiatje dokumentuese mbi të shkuarën dhe të tashmen e ishullit, duke i lënë hapësirë imagjinatës së publikut për një të ardhme të mundshme të Sazanit.

“Ekspozita do të udhëtojë edhe jashtë vendit për të treguar historinë dhe potencialin e ishullit, si dhe kontekstin unik që përfaqëson”, ka thënë Stefa. Në anën tjetër, sipas kuratorit Muçaj, kjo ekspozitë është një përpjekje për ta vënë Sazanin në hartën artistike kombëtare dhe ndërkombëtare. “‘Sazani: Toka e askujt’ është fillimi i jetësimit të këtij misioni”, ka thënë ai.

Artisti Helidon Gjergji, i cili ka ekspozuar fotografitë e tij të dielën ka thënë se e konsideron Sazanin si një muze historik, natyror dhe ushtarak.

“Është një muze i gjallë, ku objektet vdesin dhe lindin, transformohen dhe tjetërsohen, dhe për paradoks tregojnë të vërtetën shumë më tepër se muzetë klasikë”, ka thënë Gjegji.

Ndërsa fotografja Abi Shehu duke kujtuar jetën që është bërë më herët në këtë ishull ka thënë se ishulli të bën për vete.

“Shkretia e ishullit të pushton me gjithë historinë e tij si një vend dikur i jetueshëm, ndërsa sheh gjurmë të njeriut të cilat kanë marrë formën e harresës”, ka thënë ajo.

Krahas fotografive, harta origjinale të periudhave dhe fuqive të ndryshme paraqitën rëndësinë ushtarake të ishullit në detaje teknike. Po ashtu u shfaq edhe një intervistë me komandantin e ishullit Naim Muho. Ai ka qenë komandant për 15 vjet gjatë regjimit komunist. E një instalacion i krijuar për të prezantuar Sazanin në relacion me gjirin e Vlorës solli një këndvështrim të ri mbi ishullin. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në shtator dhe do të jetë e qasshme për publikun, çdo ditë nga ora 10:00 deri në 20:00. Sazani, i cili gjendet në ngushticën e Otrantos që lidh detet Jon dhe Adriatik mund të arrihet shumë lehtë nga Vlora.