Kulturë

“Shkrepëtima” e ringjalljes së jetës kulturore

“Shkrepëtima” e ringjalljes së jetës kulturore

Në mesin e shfaqjeve speciale në “DokuFest” këtë vit ka zënë vend edhe filmi “Shkrepëtima” i artistit Petrit Halilaj. Filmi ndjek rrjedhën e projektit artistik me të njëjtin emër, realizuar në vitin 2018, nga artisti në rrënojat e Shtëpisë së Kulturës në Runik, vendlindjen e tij. E përveç performancës, filmi po ashtu shfaq pamje edhe nga vizitat që artisti i ka bërë kësaj hapësire në mëngjeset e hershme kur banorët e qytetit ishin akoma në gjumë. Atëherë ai eksploronte hapësirën dhe mendonte se çfarë mund të realizonte aty, shkruan sot Koha Ditore.

Shtëpia e Kulturës në Runik për gati dy dekada ishte braktisur deri sa artisti Petrit Halilaj kishte vendosur që ta rikthejë atë vëmendjen e qytetarëve dhe të shtetit. Gjatë periudhës së saj të artë, në të bibliotekën e saj kanë qenë 11 mijë libra, kinema, sallë teatri e koncertesh. Në fakt për 30 vjet do të shërbente si simbol i identitetit të fshatit që gjendet 64 kilometra larg kryeqytetit. Krejt këto takonin së kaluarës.