Çështja e drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës nuk ka marrë fund. Ministria e Kulturës të hënën e ka bërë publik vendimin se e ka anuluar krejt procesin. Me konkurs të brendshëm, balerini Sinan Kajtazi qe zgjedhur drejtor i këtij institucioni. Në fund të qershorit MKRS-ja kishte dhënë njoftimin për të si “kandidat të suksesshëm” kur kishte bërë me dije se Kajtazi është zyrtarizuar në këtë pozitë, shkruan sot Koha Ditore.
Tash, një opinion i Agjencisë Kundër Korrupsionit është bërë sebep që ta anulojë krejt procedurën. Sipas opinionit, del se Kajtazi ka konflikt interesi. Pikërisht për këtë, 12 ditë pasi u përzgjodh nga Këshilli Drejtues, Kajtazi paralajmëroi se dorëhiqet. Një ditë më vonë do të tërhiqej nga ky vendim pas, siç kishte thënë ai, konsultave me Këshillin Drejtues e MKRS-në. Kishte thënë se e pranon pozitën e drejtorit.
Por kjo nuk ka zgjatur më shumë se dyzet ditë.
Të hënën, me vendimin e Ministrisë së Kulturës procesi kthehet nga e para. Teksa ka anuluar konkursin e brendshëm të shpallur më 31 maj, tash drejtori do të zgjidhet me konkurs publik. Për këtë vendim MKRS-ja merr për bazë dy vendime të Komisionit për Zgjedhjen e Kontesteve dhe Ankesave, por vendimtar është njoftimi i “Agjencisë Kundër Korrupsionit, me referencë AKK-DPK-03-02/257/19, të datës 26.7.2019, dërguar më datë 29.7.2019”.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)