Njomza: Nëna dhe babai asnjëherë nuk më kanë lejuar të harroj se ku i kam rrënjët

Elvira Berisha Elvira Berisha 05 August 2019 22:02

Artistja e re me origjinë nga Kosova, Njomza Vitia, ka arritur që ta bëjë për vete tregun amerikan të muzikës.

Gjithashtu, ajo ka perfomuar për herë të parë në Prishtinë në Festivalin “Sunny Hill”.

Në një intervistë ekskluzive për KTV-në, Njomza, emri artistik i saj, ka folur për shumë tema, duke përfshirë se sa e njeh historinë e origjinës së saj, si ka arritur suksese në tregun amerikan të muzikës, bashkëpunimin e saj me Mac Millerin dhe Ariane Granden, turneun e saj të parë, për “Sunny Hill”, etj.

KTV: Sapo ke performuar për herë të parë në Prishtinë, në festivalin “Sunny Hill”. A mund ta fillojmë me këtë eksperiencë? Unë isha aty dhe mund të them se i pëlqeve audiencës, por si po ndihesh që je këtu?

Njomza: Ishte e mahnitshme të dilje në skenë dhe të ktheheshe në një vend që është aq i rëndësishëm për mua. Mendoj që festivali doli shumë mirë. Kam kaluar kohën më të mirë. Audienca ishte e mrekullueshme dhe natyrisht ishte një prej koncerteve më të mira që kam pasur.

KTV: Njomza, ti ke lindur në Gjermani, por prindërit e tu janë nga Kosova... sa e njeh gjithë historinë e vendit dhe sfidat me të cilat ai ende ballafaqohet?

Njomza: Jam shumë e familjarizuar me gjithë këtë. Nëna dhe babai im më kanë treguar gjithmonë për vendlindjen derisa po rritesha dhe asnjëherë nuk më kanë lejuar të harroj se ku i kam rrënjët. Dhe jam shumë në dijeni për tërë historinë e Kosovës.

“SunnyHill” – festival që e meriton Kosova

KTV: Po sa i përket festivalit “Sunny Hill”...a ishte befasi ta shihje një festival kaq të madh, një ngjarje që sjell artistë të mirënjohur para një audience që s’mund të udhëtojë pa viza?

Njomza: Po, mendoj që është e mrekullueshme. Është diçka të cilën Kosova e meriton. Ka shumë të rinj këtu, që janë shumë kreativë dhe duan të përfshihen në art dhe gjëra të tilla. Pra, mendoj se sa më shumë që kemi ngjarje të tilla, aq më mirë për vendin.

KTV: Të kthehemi te ti dhe karriera jote...duket se gjërat po ecin goxha mirë kohëve të fundit?

Njomza: Po, është argëtuese.

KTV: Gjatë performancës në “Sunny Hill”, për një moment e kujtove Mac Millerin, i cili ishte mik yti i afërt, por edhe njeriu që zbuloi talentin tënd. Do ta ndash këtë rrëfimin pas kësaj?

Njomza: Po, isha në ‘Youtube’ duke bërë përpunime nga dyshemeja e banjës së shtëpisë së prindërve të mi dhe Mac Miller i pa ato. Dhe ai më ftoi në grupin e tij, më mori nën menaxhim dhe më mësoi se si të sillem në industrinë muzikore. Ai ishte person dhe muzikant i mrekullueshëm. Më mungon shumë. Dhe po, ai është pjesë shumë e rëndësishme e karrierës sime. Ai e filloi atë.

KTV: Po sa u përket këngëve që ke realizuar me Ariana Granden...ishte çmenduri të zgjohesh në mëngjes dhe t’i shohësh këto këngë duke kryesuar top-lista si “Billoboard”-i?

Njomza: Po, është vërtet çmenduri të jesh pjesë e diçkaje kaq të madhe. T’i kesh dy këngë në vend të parë në top-listë është çmenduri, çmenduri. Nuk e prisja, por ndodhi. Ne thjesht ishim duke argëtuar teksa po i realizonim këngët dhe ditën tjetër ato ishin në gjithë botën. Kështu që definitivisht është çmenduri.

KTV: “Seven Rings” dhe “Thank you, next”, të dyja këngët duket se flasin për fuqinë e grave...a ishte ky mesazhi që ke dashur ta shpërndash? Shkruan dhe këndon nganjëherë për fuqizimin e grave?

Njomza: Po, kjo është temë shumë e rëndësishme për mua. Dhe mendoj që të jesh e fuqishme dhe të kesh mundësi të kesh besim në veten dhe vendimet e tua dhe të mos brengosesh për opinionet e jashtme, për dikë që mundohet t’ju bëjë të ndiheni të vegjël. Mendoj që duhet të jemi të zëshme dhe krenare për atë që jemi dhe të mos kërkojmë falje për këtë.

KTV: EP albumi “Vacation” po ashtu ishte një sukses i madh...a po shkojnë gjërat shumë shpejt dhe përtej pritjeve të tua?

Njomza: Kjo ishte EP im e dytë. I kam dy të tilla: “Sad for you” dhe “Vacation” dhe është e mrekullueshme t’i kem këngët e mia, duke qenë se kam filluar me përpunime. Dhe t’i kem këngët e mia, e adhuruesit e mi t’i këndojnë me mua në koncertet e mia dhe të lidhen me to e të më tregojnë se këto këngë kanë shumë kuptim për ta, është thjesht e jashtëzakonshme. Është diçka për të cilën kam ëndërruar gjithmonë.

Njomza për bashkëpunimin me Granden: Është vërtet çmenduri të jesh pjesë e diçkaje kaq të madhe

KTV: Nëse nuk gabohem, e keni pasur turneun e parë?

Njomza: Po, e kam pasur turneun e parë këtë vit. Turneun tim të parë të vërtetë në mars të këtij viti. Dhe kemi pasur disa koncerte dhe ishte shumë argëtuese. Ishte shumë mirë t’i shihja fansat e mi dhe të lidhem me ta personalisht, jashtë internetit.

KTV: Duket se ke një miqësi me Dua Lipën, e cila po bën punë të mrekullueshme për ta vënë Kosovën në hartë...Por, ka edhe shumë këngëtare të tjera shqiptare që po kryesojnë skenën po aktualisht, si Rita Ora, Ava Max, Njomza...a ndihesh krenare për këtë, meqenëse ke origjinë shqiptare?

Njomza: Po, më pëlqen. Mendoj se është shumë e fuqishme, sidomos për shkak se shumica e tyre janë gra shqiptare dhe janë duke shënuar shumë suksese. Dhe mendoj që të gjithë jemi shumë krenarë dhe i japim njëri-tjetrit shumë dashuri. Është vërtet shumë ‘cool’.

Image

KTV: A do të doje ta realizoje një bashkëpunim me ndonjërën prej këtyre vajzave në të ardhmen?

Njomza: Po natyrisht, cilëndo prej tyre, mendoj se të gjitha janë shumë të talentuara. Gjithmonë jam e gatshme të bëj diçka për fuqizimin e grave dhe të ngjashme.

Njomza paralajmëron bashkëpunim me Gashin

 

KTV: Do të doja ta shihja një bashkëpunim të tillë... Me sa di, ke miqësi edhe me Gashin. A ka mundësi për ndonjë bashkëpunim mes teje dhe Gashit?

Njomza: Kemi qenë duke punuar në studio kohëve të fundit për ta nxjerrë këngën e duhur për lansim. Kështu që kjo definitivisht do të ndodhë.

KTV: Pra, je duke punuar me Gashin?

Njomza: Po, po. E kam mik të mirë. Jemi bërë shokë në Amerikë, tash tetë vjet.

KTV: Cila është gjëja më e mirë e të qenit në skenë?

Njomza: Mendoj që momenti më i mirë është ...kur dal në skenë dhe jam shumë e emocionuar. Dhe më duket që s’mund t’ia dal, por pastaj e shoh audiencën. Ata më shikojnë dhe presin prej meje të kalojmë kohë të mirë dhe kur filloj ta bëj këtë, ata dëgjojnë. Nuk mendoj që ka ndjenjë më të mirë se kjo. Nuk ka ilaç, nuk ka asgjë që mund të më bëjë të ndihem më mirë se kjo

KTV: Faleminderit dhe çfarë tutje? Ndonjë EP tjetër apo këngë për të cilën po punoni?

Njomza: Po, në “Sunny Hill”, i interpretova dy këngë që po planifikoj t’i lansoj. Audienca i dëgjoi për herë të parë. Do t’i lansoj. Kam një projekt të ri dhe jam duke punuar edhe në një projekt të dytë. Ka shumë muzikë, kam kaluar tre muaj në studio në Los Anxhelos, duke punuar pa ndërprerë. Kështu që ka shumë këngë që do të publikohen. Jam e emocionuar.

KTV: Do të kthehesh sërish në Prishtinë vitin tjetër?

Njomza: Vitin tjetër? Shpresoj që po. Thuajini Dukagjinit të më ftojë. Jam gati të kthehem, i thashë dje: më fto përsëri. Më duhet të kthehem në këtë festival

KTV: Do t’ju mirëpresim

Njomza: Faleminderit shumë

KTV: Faleminderit për intervistën

Njomza: Faleminderit, ishte kënaqësi.

Image

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme