Kulturë

Dyshja e ilustrimeve me personazhe në dy centimetra

Descriptive Text

Driton Goleshi është rritur në Prishtinë. Pas përfundimit të gjimnazit “Xhevdet Doda”, ka përfunduar studimet për inxhinieri kompjuterike në Universitetin e Prishtinës. Studimet e tij janë të lidhura me shkencë ku është dëshmuar. Por përveç saj ai është zotërues i mirë edhe i artit. Që në vegjëli edhe pse nuk ka studiuar për art, ka vazhduar që të vizatojë kohë pas kohe.

Në fakt arti dhe shkenca kanë qenë të ndërlidhura brenda jetës së tij gjatë gjithë kohës. Një pjesë të ditës e kalon në “XPortal eSports Academy”, një vend që ndihmon në zhvillimin dhe përparimin e të rinjve në lojërat kompjuterike në Kosovë. Pjesën tjetër e kalon duke vizatuar njerëz, të cilët janë vetëm 2 centimetra të gjatë.

Historia e këtyre vizatimeve lidhet edhe me Lyra Pallaskën. Edhe ajo është rritur në Prishtinë. Gjatë shkollimit të ulët në shkollën “Naim Frashëri”, ka përfunduar edhe shkollën e ulët të muzikës për piano në shkollën “Prenk Jakova”. Pianon e ka mbajtur si hobi. Vazhdon të luajë në të kohë pas kohe. Pas përfundimit të shkollës së mesme në “Mehmet Akif College”, studimet për arkitekturë i ka vazhduar në “University for Business and Technology”. Pikërisht këtu ka filluar lidhja e saj me artin. Por edhe pse që të dy janë marrë me vizatime, historia “2cm Humans” ka nisur kur këta dy kanë rënë në dashuri.

Zanafilla si histori dashurie

Driton Goleshi dhe Lyra Pallaska janë takuar disa herë pasi që edhe shoqërinë e kanë pasur të përbashkët. Mirëpo, takimi i tyre me rastin e hapjes së “XPortal eSports Academy”, ka qenë më i veçantë. Një kohë pas atij takimi, për ditëlindjen e Lyrës, Dritoni ka qenë duke u sorollatur e duke menduar se çfarë t’i dhurojë për ditëlindje. Duke e marrë inspirimin prej librit “Princi i vogël” do t’i lindte ideja për ilustrimin e historisë se si janë takuar. Në dhjetor të vitit 2017, krejt këtë histori do ta përthekonte në një libër ilustrimesh ku ai dhe Lyra janë të gjatë 2 centimetra. Ishte unik dhe një i vetëm, të cilin ia dha asaj. Që nga atëherë të dy së bashku vazhdojnë që të realizojnë ilustrime të ndryshme nën emrin “2cm Humans”. Duke shfrytëzuar rrjetet sociale, ilustrimet e tyre u bënë të njohura dhe tashmë ka kërkesa çdo ditë e më shumë për të realizuar ilustrime të tilla. Emri i ‘2cm Humans’ ka rrjedhur prej madhësisë së ilustrimeve. Për shkak se të gjithë personazhet, përpos fëmijëve, ilustrohen në 2 centimetra... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)