Kulturë

Sezoni kulturor i Hungarisë për një kapitull tjetër me Kosovën

Descriptive Text

Muzika e zhanreve të ndryshme, kinematografia, ekspozitat e shënimi i datave historike përbëjnë boshtin e Sezonit kulturor të Hungarisë në Kosovë. Për tre muaj shteti hungarez do të jetë aktiv sa u përket ngjarjeve kulturore në vend. Kësisoj, për herë të parë Ambasada e Hungarisë në Kosovë do të jetë organizatore e një numri të konsiderueshëm të ngjarjeve artistike. Kur merren parasysh marrëdhëniet e mëparshme kulturore midis Hungarisë dhe Kosovës, Sezoni kulturor, që do të fillojë m[ 20 shtator e do të zgjasë deri në kohën e Krishtlindjeve, është organizimi më i madh, shkruan sot Koha Ditore.

Në një bisedë me gazetën, ambasadori i Hungarisë në Kosovë, László Márkusz, ka shpalosur programin e organizuar nga institucioni që ai udhëheq. Sipas Márkusz, diplomacia kulturore është esenciale për njohjen midis popujve e thellimin e raporteve.

“Natyrisht muzika është linja kryesore”, ka thënë Márkusz derisa ka nisur të fliste për programin. Në mbrëmjen e 20 shtatorit Sezoni do t’i hapë dyert me koncertin e Filarmonisë Pannon. Ky institucion i themeluar më 1811 nga kompozitori vjenez György Lickl është një prej formacioneve muzikore më me peshë në Hungari. Filarmonia funksionon në regjionin e Pécs, që njihet si një qendër e shkencës dhe arteve, përfshirë edhe muzikën.

“Do të jetë grupi më i madh i një filarmonie që ka luajtur ndonjëherë në Kosovë. Koncerti do të mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit”, ka thënë ambasadori Márkusz. Menjëherë në tetor do të nisë të mbahet Muaji hungarez i jazzit. Fillimisht është menduar që të jetë Java e jazit, por për arsye organizative e të pjesëmarrjes së publikut, organizatorët kanë paraparë çdo javë nga një ngjarje gjatë tetorit. Sipas Márkusz, për arsye se dikush mund të mos jetë në Kosovë gjatë një jave e pastaj për faktin se njerëzit do të mundë të lodheshin nga koncertet e mbajtura çdo natë, ngjarjet janë shtrirë në tërë muajin.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)