Kulturë

Dua Lipa thotë se “Sunny Hill” po mbahet për të rinjtë e talentet në Kosovë

Descriptive Text

Komuna e Prishtinës dhe Sunny Hill Foundation kanë nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi për krijimin e Sunny Hill Academy në Prishtinë.

Për këtë Sunny Hill Foundation po i jep 150 mijë euro. Në këtë shkollë do të ketë instrumente dhe gjëra të tjera që nevojiten për talentet e rinj në Kosovë, që të mund të ushtrojnë aty, transmeton kosovapress.

Dukagjin Lipa tha se qëllimi i këtij fondacioni është që të rinjve dhe fëmijëve të Kosovës, t’u ofrohet një hapësirë ku mund të shprehin frymën artistike.

“Jemi mbledh këtu për një ngjarje pak më tjetër se herën e kaluar. Qëllimi i fondacionit ka qenë të kemi një hapësirë që do të jetë në shërbim të të rinjve shqiptar, në mënyrë që ta kthejmë atë frymën artistike të cilën ndoshta fëmijët e Prishtinës dhe Kosovës e kërkojnë dhe dëshirojnë, ashtu siç e kemi pas ne ndoshta më përpara”, tha ai.

Ndërsa këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare Dua Lipa, tha se kjo ka qenë një ëndërr e madhe për të. Lipa tha Kosova ka shumë të rinj të talentuar.

“Ka qenë ëndërr e madhe për me mujt me pas një hapësirë ku fëmijët dhe rinia munden me ardh, sepse po e dimë sa ka talent këtu. Po ndjehem krenare që sot po e bëjmë nënshkrimin”, tha Dua Lipa.

E kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti tha se Dua Lipa është ambasadorja më e mirë i Prishtinës në botë.

“Dua është ndoshta ambasadori më i mirë i Prishtinës dhe Kosovës në botë sot”, tha Ahmeti.