Kulturë

Gur themeltar për shtatoren e Demaçit me modelin e kritikuar nga familja

Prej 28 nëntorit të këtij viti, hyrja jugore e Prishtinës, te “Rrethrrotullimi i Flamurit”, pritet ta ketë shtatoren e veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi. Ndonëse nuk është bërë ende vlerësimi financiar për shtatë bocetat e propozuara si modele për shtatoren e ardhshme, Zyra e kryeministrit e ka bërë si punë të kryer veprën e skulptorit Gëzim Muriqi. Ajo kishte marrë më së shumti pikë nga komisioni vlerësues, por vlerësimi financiar është hapi përfundimtar.


Për bocetën, që paraqet profilin e Demaçit me dorën në zemër, familja Demaçi është shprehur e indinjuar duke thënë se ajo nuk është zgjedhja më e përshtatshme për personalitetin e tij, shkruan sot Koha Ditore.

Gjatë një ceremonie të premten paradite, zyrtarë të Qeverisë, përfaqësues të Shoqatës së ish të Burgosurve Politikë kanë vënë gurin themeltar për bazamentin e shtatores së Demaçit, me rastin e përvjetorit të parë të vdekjes.

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar veprën e veprimtarit politik i cili, sipas tij, guxoi të krijonte liri për popullin e vet të robëruar.

“Pa fjalën e tij që rrezatonte shpresë, njerëzit vështirë se do të rreshtoheshin me Lëvizjen e rezistencës dhe liria e Kosovës do të ishte vetëm ëndërr. Atij iu ndalua fjala, prandaj luftoi një jetë njeriu për lirinë e saj. Iu shkelën të gjitha të drejtat, por kurrë nuk u ndal, krijoi drejtësi për të tjerët”, ka thënë ai.

 (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)