Kulturë

“Ramë Lahaj dhe miqtë” me artin si balancim përballë situatës politike

Prishtinë, 26 korrik – Tenori Ramë Lahaj e ka konsideruar si detyrim ndaj publikut rikthimin me një koncert në Prishtinë pas atij të vitit të kaluar për nder të Ditës së Evropës, që u mbajt në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në kryeqytet, e ku salla ishte e vogël për të gjithë të interesuarit. Por ka edhe një tjetër arsye. Përtej këtij detyrimi, situata politike në Kosovë, kufijtë dhe zhvillimet e fundit në komunitetin artistik në lidhje me sallën koncertale kanë qenë një shtysë tjetër, shkruan sot Koha Ditore.

Për këtë, tenori i skenave botërore ka mbledhur disa nga miqtë e tij për të sjellë më 1 gusht në sheshin “Skënderbeu”, koncertin “Ramë Lahaj me miq”.

Një koncert i madh dhe i hapur për të gjithë, ka qenë ajo që Lahaj ka pasur në mendjen e tij. Do ta konkretizojë në ditën e parë të gushtit edhe si një balancim kundrejt situatës dhe gjendjes politike në vend.

Image

“Prishtina ka nevojë për koncerte dhe aktivitete kualitative duke pasur parasysh edhe gjendjen politike të kohëve të fundit, e cila ka qenë zhgënjyese, diskutimet për mosndërtimin e sallës koncertale e po ashtu edhe tema e kufijve. Për këtë të fundit pata realizuar edhe projektin ‘Mos na e prekni kufirin’. Pra në këtë periudhë Prishtinës i duhen aktivitetet kualitative që mund ta balancojnë këtë situatë”, ka thënë ai.

Lahaj për këtë koncert ka ftuar dirigjentin David Crescenzi, me të cilin bashkëpunon, sopranon Besa Llugiqi, baritonët Kiril Manilov nga Bullgaria Adhurim Grezdën nga Kosova, sikurse edhe pianistin Edon Ramadani, të shoqëruar me orkestruesit nga Kosova e Shqipëria.

Barrën më të madhe interpretuese në këtë koncert do ta mbajë vetë Lahaj. Miqtë e tij do t’i ndihmojnë për t’i dhënë më shumë laramani programit. Në Prishtinë ai do të sjellë repertorin e arieve, me të cilat është paraqitur nëpër skenat më prestigjioze të botës. E pasi që është edhe 20-vjetori i çlirimit, Lahaj do të sjellë edhe pjesë nga veprat shqipe. Po ashtu në repertorin e përzgjedhur prej tij janë edhe këngët italiane.

Ky koncert është pjesë e aktiviteteve “Ditët e diasporës në qytetin e Prishtinës”, si dhe organizohet nga Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike dhe me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")