Kulturë

Një aktore shqiptare përfaqëson Greqinë në skenën e Butrintit

Teatri Thessaliko, në Shqipëri me shfaqjen «Toka u ngjye në të kuqe». Dramaciteti i shfaqjes në teatrin e Butrintit dhe loja e jashtëzakonshme e aktores shqiptare Marsela Lena në skenë.

Është e dyta herë që marr “udhën e të marrit” që nga Athina e vij të ulem qoftë edhe një natë me hënë përrallore, mbi ndenjëset e gurta të Amfiteatrit të madhërishëm të Butrintit në qytetin tim të lindjes, në Sarandën e bekuar nga perënditë e lashta dhe të mbetur po aty, për t’u mahnitur i madh e i vogël, nga e gjithë Bota! Tri vite më parë për të parë djalin-aktor të çiftit Dokle (Kleopatrës së Vlorës e Zehrudinit nga Kukësi që e ngritën “folenë” në Bullgari!), i njohur tashmë që nga skenat e ekranet e Sofjes e deri në ato të Hollivudit (USA) dhe tani, për të parë Marsela Lenën nga “Guri i Thatë” i Leskovikut, e cila ka 7 vjet që po ndrit në skenat e Athinës, të Pireut e të Larisës! Po, ja që, “margaritarët” ndrisin ca më tepër nëpër “gjokset e damave të huaja!” e ne do të mbetemi edhe për shumë kohe, një publik i varfër, i ulur nëpër gurët e këtyre amfiteatrove antike të vendit tim! Dhe unë, i ulur aty me mikun tim të nderuar, fqinjin e mençur të fshatit tim, Filozofin Përparim Kabo, -një nga ithtarët më të zjarrtë të këtij festivali të pazakontë, do të kuvendojmë për mjerimin tonë, kur shteti ynë, është tani, deri në atë “derexhe” sa nuk mundet t’i thërras këtu edhe trupa të tjera prestigjioze të rruzullit tokësor, veçse disa të fqinjëve më të afërt, që duken “nga më të largëtat”, kur na vijnë papritur, bashkë edhe me djemtë e vajzat tona mërgimtare, si ky Leart Dokle, të përfaqësojë Bullgarinë dhe kjo Marsela Lena të përfaqësojë Greqinë…. Është një dramë për tokën, për ëndrrat e fshatarëve të Thesalisë në të shkuarën, që të kenë tokën, bukën, shtëpitë e varret e tyre. Nikos Foskolos, i bazuar në ngjarje reale të historisë, duke e marrë spunton kryesore prej kryengritjes fshatare të Kilerelit të Thesalisë, e ka quajtur skenarin e vet “Toka u ngjye në të kuq” dhe fillimisht u xhirua si film, po në këtë hapësirë të gjerë të Greqisë. Ndërsa regjisorja Kyriaki Spanoy, Drejtoreshë Artistike e skenës qendrore të Larisës e realizoi si spektakël në teatrin e vet, duke përdorur aktorët, monitorët me ekranizimet filmike, artin pamor të grafikës e të pllakatit, teatrin e hijeve e te karagjozëve dhe një skenografi funksionale të Apostolos Vetas, që i shkon kësaj epoke të gjerë të kryengritjeve fshatare. Sfondi e karakteri historik, kështu, bëhet i pranishëm, i gjallë, me një epikë tronditëse të njerëzve të varfër e të thjeshtë që luftuan dekada të tëra për tokën, për bukën e varret e tyre, derisa i siguruan ato. Në këtë konflikt të madh shoqëroro-politik merr pjesë aktive edhe familja që e vuan direkt varfërinë e tejskajshme, robërimin e shfrytëzimin e çifligarëve vendas e zaptuesve të huaj që këtu paraqiten në trajtën simbolike si zogj grabitqarë me tipare të zeza. Konflikti është social, po edhe familjar. Paksa i shpërndarë dhe i fragmentarizuar. Dhe duhet të bëhet e të shpërbëhet gjithçka, të luftojë bujku me again që i pi gjakun, po edhe vëllai me vëllain, babai me të birin dhe në të kundërtën, i biri me babanë, deri në përdorim të pushkës e të litarit. Figurat skenike, ndonëse në një shtrirje të gjerë në epokë, arrijnë të alternohen, të konvergohen e të konkretizohen dhe regjisorja Spanoy ndërton artistikisht një tablo rrëqethëse të këtij konflikti historik, që vjen duke u ashpërsuar, sidomos nga fundi i spektaklit, aq sa, regjisores “i shpëton filli nga duart”, duke dalë nga shtrati i subjektit panoramik në kornizën e vetë fragmantare, me do ngjarje pasuese që përbëjnë drama e tragjedi që duheshin trajtuar më në brendësi ose veçmas, në të tjera drama e tragjedi skenike….E megjithatë penelata është hedhur në “pëlhurë” e atmosfera skenike është e tejngopur, duke mos mbajtur më stërhollime e shtojca të tilla. Kupa e verës nuk mbushet deri në buzën e saj, sa të derdhet!…..Ndofta, nuk do të shkonte këtu edhe retorika e tepërt, ne shpjegimet e gjata, pas çdo tabloje e në disa “funde” njëherësh, ku ana moralizuese “derdhet” me tepri, po njëlloj sikundër thamë për kupën e verës së tejmbushur!……

Roli

Gjithsesi tabloja pak a shumë “filmike” është dhënë me vija të trasha e me ngjyra të forta, me lëvizje skenike masive, ku personazhet realë dalin nga rolet e tyre e plotësojnë të tjera figura, të njerëzve, zogjve e kafshëve, që vërtiten në jetën baritore. Aktorët Thanasis Zervas, Josif Josifidis, Marsela Lena, Dhimitris Mamios, Aleksandrios Moykanos e Christos Kordhelas, edhe pse nuk “shpëtojnë dot” nga njëfarë teatraliteti deklamativ , që deri diku ua sugjeron skena e hapët. Po dinamika interpretative dhe sidomos shfrytëzimi i të dyja kullave anësore e bëjnë më interesante veprimin e tyre skenik, figurshmërinë e simbolikën e jetës fshatarake. Do të veçoja këtu, si më të natyrshëm e më konkret në interpretimet e tyre, Marsela Lenën në rolin e Irinës dhe Dhimitris Mamios në rolin e Jangos, motër e vëlla në skenë, që mbetën fillim-mbarim figurat skenike më të dashura e më të realizuara mjeshtërisht, me plastikë, organicitet e botë shpirtërore të pasur. Gjithashtu, në çaste të veçanta, të dy vëllezërit çifligarë kanë potencë e individualitetin e tyre: Josif Josifidis, për tonalitetet e ashpra e veprimet e dhunës mes fshatarëve e sidomos kundrejt Irinës, të cilën e zapton me thonj, për ta “bërë të tij” nëpërmjet dhunës dhe, vëllai tjetër, po çifligar, që përfaqëson humanistin dhe rrugën e drejtë të pasurimit, logjikën e një jete më të ndershme, interpretuar qetësisht prej aktorit Thanasis Zervas.

Aktorja imcake, e cila u kthye në divë për teatrin

Në antipodin tjetër, kundrejt tyre, që lufton për të mirën e të drejtën, për tokën e bukën e gojës, me një natyrësi e pathos lirie, me një optimizëm, zhdërvjelltësi e një dozë humori si njeri, është vëllai i Irinit, Jango, interpretuar prej Dhimitris Mamios, në një duet harmonie me të motrën, Irinën e Marselës tonë. Pa u “ngrënë hakun” aktorëve solid dhe me temperament të vrullshëm skenik të palës kundërshtare, vetiu nënvizohet interpretimi brilant i Marsela Lenës, një tërësi unike e figurës së fshatares së zonjë, që di të luftojë me stapin në duart e saj ose edhe me thonj e forcë krahu që të çlirohet disa herë nga dhunuesi i egër; po, sa e hareshme ndër valle, aq edhe e hirshme e lozonjare me të vëllanë, si edhe fort e ëmbël në çastet kur i rreh zemra edhe për një burrë. Asaj nuk i ka mbetur më asgjë, veçse “qielli që ka mbi krye!”. E keqtrajtuar si bujkeshë gjysmatare, ajo do të bëhet një trimëreshë plotë hire. Me kalime të befasishme, që shoqërohen me veprime, detaje e nuanca të psikologjisë njerëzore, bile edhe me hire poetike, si të ishte një Zhan’Dark e vërtetë! Dhe së fundi, Marsela do të na befasojë, para mbylljes së spektaklit, përbrenda lëkurës së një ariu polar që do të hyje në këtë fshat, atëherë kur toka bëhet e fshatarëve dhe lipset që edhe arinjtë e pyllit të hyjnë në vallen e gëzimit! Kur flasim për Marselën, është njëlloj sikur të themi dhe të lutemi që të “dalë hëna e të ndriçojë dhenë!”. Se është me të vërtetë një artiste e ndritshme, që do të rrezatojë e shkëlqejë sa herë që do të dalë në skenën e vet. Në çfarëdolloj roli që do t’i jepet…Edhe kur është personazhi i pagojë, edhe kur s’ka fare tekst, po edhe kur i jepet roli me një duzinë fjalësh, ajo ka mjeshtërinë të krijojë një figurë artistike që mbahet mënd për shumë kohë e dekada. Në një farsë a vodevil, në një komedi realiste apo komedi të zezë, në një drame a tragjedi, Marsela është po ajo aktore, por krejt e ndryshme nga roli në rol, me po atë pasion krijues e interpretues. Në skenën e Athinës kam parë shtatë figura krejt të ndryshme nga njëra-tjetra, bile edhe tri role brenda së njëjtës shfaqje, që është vështirë të dallosh se ku është Marsela, se ku ngjan më tepër me origjinalen e “Gurit të Thatë” të Leskovikut! Nuk ekzagjeroj aspak duke e pohuar këtë dhe, po nuk besuat pyeteni ju lutem të Madhin Robert Ndrenika, t’u thotë sesi, 10 vjet me parë, kur mori Çmimin e parë të “Kult”,-it pa se si përbri tij qe edhe një aktore imcake që s’ta mbushte dot mendjen. Ishte pikërisht Marsela Lena…. Edhe ajo do të merrte çmimin e parë?! Po…Po kjo aktore që interpretoi në skenën e Teatrit Antik të Butrintit, këtë vajzë greke të Thesalisë, me një diksion tmerrësisht të pastër të gjuhës greke, me një nur skenik të jashtëzakonshëm dhe e “larë nga djersa”, me petkat e ngjitura në trupin e vet, prej stërlodhjes, kur “Kurora e Hënës” zbriti mbi kryet e saj në fundin e kësaj shfaqjeje mbresëlënëse dhe plotë dritë nga Magjia e Butrintit! Publiku i mesnatës largohet dhe shkallaria e gurtë e “patkoit” mijëvjeçar do t’i presë përsëri njerëzit e teatrit vitin e ardhshëm, nëse shteti do të mendohet që ta shpëtojë festivalin e tij më të rëndësishëm, si një rrjedhë mrekullie e vjetër dhe e re, një magji e përhershme, jo vetëm e jona!/Miho Gjini, Shekulli.