Kulturë

Ministria i rikthehet teatrit të operës një dekadë pas dështimit

Descriptive Text

Prishtinë, 17 korrik – Nëse planet e Ministrisë së Kulturës do të shkojnë sipas parashikimeve, shteti pas një dekade të vënies së gurit themeltar të teatrit të operës dhe baletit, “Dr. Ibrahim Rugova” do të vërë edhe një tjetër për këtë ndërtesë. MKRS-ja planifikon që këtë ta bëjë në mars të vitit të ardhshëm.

Një gjë e tillë ishte bërë edhe më 9 dhjetor 2009. Por ai projekt ka një histori tersi. Nuk shkoi kurrë përtej themeleve. Ministria e Kulturës në ditën e 11-të të këtij muaji ka hapur një konkurs ndërkombëtar për “Zhvillimin e projektit konceptues dhe vizatimeve të hollësishme të ndërtimit për Operën dhe Teatrin Kombëtar në Prishtinë”.

Sipas nenit të dytë të konkursit që është i hapur deri më 27 korrik – ku nuk përmendet “Dr. Ibrahim Rugova” siç ishte emëruar teatri i operës dhe baletit – vlera e parashikuar e projektimit, siç shkruhet në pikën e dytë, është 2 milionë euro. Këtë veprim MKRS-ja e ka ndërmarrë me 100 mijë euro buxhet për këtë projekt kapital e duke llogaritur edhe në 500 të tjera nga të hyrat nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Ky fakt për MKRS-në nuk paraqet problem.

Tash e një dekadë mjetet e parapara për këtë projekt janë bartur nga viti në vit.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")