Gjelosh Gjokaj, piktori i madh që ia rriti namin edhe Malësisë së Madhe

Gjelosh Gjokaj, piktori i madh që ia rriti namin edhe Malësisë së Madhe

15 July 2019 12:04

Në fund të tetorit të vitit 2016, një muaj pas vdekjes, Shoqata “Malësia e Madhe” në New York kishte organizuar një orë përkujtimore për piktorin nammadh, Gjelosh Gjokajn. Në atë ceremoni disa bashkatdhetarë, midis tyre edhe unë i thashë disa fjalë, rikujton ish-gazetari i "Zërit të Amerikës" e tash botues në New York, Gjekë Gjonlekaj.

Më 20 korrik, pra këtë të shtunë,në Tuz do të zhvillohet një aktivitet kulturor kushtuar këtij piktori përmasash botërore, Gjelosh Gjokajt. Në pritje të kësaj date, Koha.net sjell rikujtimin për të të Gjekë Gjonlekajt.

Malësia e Madhe është njëra prej krahinave më të njohura shqiptare, pavarësisht se kjo tokë arbërore është e ndarë përgjysmë nga fuqitë e mëdha. Shtëpia ku ka lindur piktori i njohur shqiptar Gjelosh Gjokaj është njëra prej familjeve më fisnike të Malësisë. Ky pinjoll i Shtëpisë së Baca Kurtit, lindi në Grudë, por në rini të hershme Gjeloshi dhe e gjithë familja e Dakë Lekës u vendosën në një qytet të vogël afër Novi Sadit në Vojvodinë.

Malësia e Madhe brenda dhe jashtë kufirit ka dhënë personalitete të mëdha të shkencave të ndryshme, por ka dhënë edhe tre yje ndërkombëtare të artit: Lukë Kaçën, Gjelosh Gjokën dhe Angjelin Prelocaj. Emëri Gjelosh është shumë i njohur qysh në Malësi. Kush nuk ka dëgjuar për Gjelosh Frangun dhe Gjelosh Lulin e Hotit dhe për Gjelosh Gjokën e Kastratit. Që të tre ishin trima të përmendur dhe të pashëm. Ata ishin dijetarë e gojëtarë dhe logjet e Shpellës së Frashnit, të Kronit të Traboinit, të Vitojës dhe Urës së Tërgajës nuk kishin hijeshinë dhe bukurinë pa pjesëmarrjen e tyre dhe të shumë trimave të njohur të kësaj treve. Për logjet e Malësisë ka shkruar edhe Ismail Kadare në veprën e tij "Konkurs bukurie për burrat në Bjeshkët e Nemuna”. Arti dhe bukuria janë pjesa mbase më e rëndësishme e kësaj treve. Familja Gjokaj kishte dhënë edhe patriotë të dalluar që kishin dhënë jetën për çështjen kombëtare. Për atdhe dashuri dhe për gjuhë e traditë shqiptare ishte helmuar studenti i përmendur Dodë Pjetër Leka, djali i axhës së Gjelosh Gjokaj dhe mësuesi i njohur i Malësisë Prenkë Puli Gjokaj. Prenkë Pulin e kishin pushkatuar forcat jugosllave në kufi se gjoja kishte bërë përpjeke për t’u arratisur në Shqipëri. Gjelosh Gjokaj mësimet fillestare i vazhdoi në Vojvodinë. Por qysh në fëmijëri kishte dëshirë të bëhej piktor. Gjeloshi tregonte se qytetarët dhe fshatarët e atij vendi kishin filluar t'i blinin vizatimet e tij, jo me të holla por me grurë ose misër. Atëhërë tregonte Gjeloshi fillova ta kuptoj se një ditë mbase mund të jetoj me këtë profesion. Pas disa vjetësh kishte kaluar në Pejë, ngase atje ishte vëllau e tij Gjeto Leka, gazetar dhe spiker shumë i njohur në Radio Prishtinë dhe më vonë i Televizionit të Kosovës. Pasi mbaroi shkollën e artit në Pejë me ndihmën e piktorit të madh të Kosovës, Muslim Mulliqit, ishte regjistruar në Akademinë e Arteve në Beograd. Pas studimeve të arteve në Beograd u kthye në Prishtinë dhe atje në bashkëpunim me piktorët e Kosovës themeluan Shkollën e Lartë Pedagogjike të Artit dhe më vonë ata hapën edhe Akademnë e Arteve në kryeqytetin e Kosovës. Për 6 vjet, sa punoi në Kosovë, krijoi vepra të mëdha të artit, sidomos të grafikës, sepse ky ishte specializuar në këtë degë gjatë studimeve në Akademinë e Beogradit. Gjelosh Gjokaj kishte bërë edhe koreografinë e filmit të njohur "Uka i Bjeshkëve të Nemuna".

Gjatë periudhës që punoi në Kosovë hapi disa ekspozita. Populli shqiptar i Kosovës e ndihmoi dhe e nderoi dhe shumica e suksesve të mëpastajshme kishin lidhje me veprimtarinë e tij në Kosovë. Në kohën kur jetonte në Kosovë, kishte hapur ekspozita nëpër qytete të ndryshme të Jugosllavisë, në Itali dhe kishte marrë pjesë në Bienalen e Aleksandrisë. Ekspozitën e parë të Gjeloshit në Itali e kishte organizuar piktori i njohur shqiptar Ibrahim Kodra. Gjelosh Gjokaj ishte larguar nga Prishtina për në Itali në dhjetor të vitit 1969. Ai kishte zënë vend në Romë dhe ishte pritur mirë aty nga komuniteti shqiptar i atij qyteti, por mbështetjen më të madhe ia kishte dhënë Ernest Koliqi. Për 8 muaj sa jetova në periferi të Romës, shkruan Gjonlekaj, e kisha takuar çdo javë, bile kisha punuar për të dy muaj në Porto San Giorgio një qytet i vogël afër Ankonës. Në këtë qytet kishte bërë shumë kontrata për shitjen e grafikave të tij. Në Romë u shoqërua me shumë piktorë të njohur italianë. Pas disa vitesh kaloi në Augsburg të Gjermanisë, afër Mynhenit, qytet shumë i njohur për arte. Në Augsburg dhe në qytete të tjera hapi ekspozita të suksesshme, bile edhe në Francë. Frymëzimet e krijimtarisë artistike i kishte fituar në vendlindjen e tij në Milesh. Në trojet labeate të Ilirisë, atje ku ishin përplasur qytetërimet e Perëndimit dhe të Lindjes, pavarësisht se kishin qenë qytetërime pushtuese ato kishin lënë gjurmë të thella në vendin tonë. Artistët shqiptarë kishin fuqi të mëdha për t'i lexuar ato simbole dhe gjurmë antike. Cemi dhe shkëmbinjtë përreth këtij lumi legjendar kishin qenë frymëzim për Gjeloshin. Edhe kafshët e buta shtëpiake shihen kudo në vizatimet dhe grafikat e tij. Gratë me enët e ujit në kokë dhe qengjat e grigjës së vogël kishin qenë figurat e frymëzimit. Me Gjelosh Gjokaj kam punuar e shoqëruar për katër vjet. Ai punonte natë e ditë. Ai thoshte: ”Jetoj sepse krijoj”. Mund të qëndronte pranë një pikture javë të tëra. Për dashamirët e artit krijimtaria e tij prej më shumë se 3000 veprash artistike është pasuri e jashtëzakonshme kulturore. Në vitin 1979 kishte hapur në New York një ekspozitë. Ai ishte mysafir në shtëpinë time për më shumë se një javë. Ekspozitën e tij e vizitoi një gazetare e njohur e artit e të përditshmes “The New York Times”. Gjatë kësaj vizite Gjeloshi ishte takuar edhe me tregtarin e njohur italo-amerikan të artit Leo Castello. Shumica e veprave të Gjeloshit u shitën ato ditë në New York. U largua shumë i lumtur nga Amerika. Në vitin 1990 kam bërë me Gjelosh Gjokaj një intervistë të gjatë për 'Zërin e Amerikës'. Ai e kishte edhe humorin e zhvilluar. Në Kohën kur jetonin në Vojvodinë ata si zakonisht kishin festuar Pashkët. Për atë festë kishin shkuar në shtëpinë e tyre për darkë tre katër serbo-malazezë. Nëna e Gjeloshit kishte vënë tepsinë me mish e oriz dhe i kishte dhënë njërit prej mysafirëve një lugë të madhe për të qitur mish e oriz në pjatën e tij, por sllavi i uritur kishte qitur aq shumë mish e oriz në pjatën e tij, saqë babai i tij Daku i kishte thënë:” Gjelosh hiqja shkjaut goruzhdën prej dore se na la pa darkë”.

Muzeu i Dedë Gjo Lulit në Hot, Muzeu Artistik i Gjelosh Gjokaj në Malësi dhe Muzeu I Shtjefën Ivezaj në Lekaj e pasurojnë historinë, artin dhe etnografinë në trojet tona. Veprat e tij artistike shkëlqejnë sot nëpër muzeume e galeri artistike në Ballkan, në Evropë dhe më gjerë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme