“Steiner Studios” hapën zyrat përgjatë Brigjeve të Brooklynit më 2004 si studioja më e madhe filmike jashtë Hollywoodit. Produksionet televizive dhe filmike janë vendosur në lokacione më të lira në qytetin njujorkez, dhe studioja e re po mundohet ta përmbysë këtë trend.
Dhe pas pothuajse pesëmbëdhjetë vjetësh, industria është në shpërthim të madh.
“Steiner”, që filloi me skena zërimi dhe me një film në produksion, tani i ka tridhjetë skena, një zonë të lirë për të filluar ndërtimin e objektit dhe xhirimin e shumë emisioneve dhe filmave njëherësh. Në Queens, “Silvercup Studios” ka shtuar edhe dy degë të reja, përfshirë edhe atë në Bronx, shkruan “The New York Times”, transmeton “Koha Ditore”.
Dhe disa javë më parë, Netflix bëri të ditur zgjerimin e madh në New York, duke krijuar një zyrë bashkëpunimi në Manhattan dhe një qendër produksioni në Brooklyn me skena zërimi, që pritet të kthehet në vende që ofrojnë shërbime të rëndësishme muzikore.
Tani aktori Robert de Niro do të bëhet pjesë e bordit. Një grup investitorësh, përfshirë De Niron dhe të birin e tij, Raphael , do të blejnë një parcelë prej pesë hektarësh në Astoria në Queens, me plane për të ndërtuar studio filmike dhe prodkusioni.
Studioja që do ta mbajë emrin “Wildflower Studios” ka për qëllim të rrëmbejë një hise të mirë të biznesit televiziv dhe filmik në ngritje që po kthehet ngadalë në qytetin njujorkez, dikur kryeqyteti botëror i filmit. Ata synojnë që New York City të bëhet Hollywoodi i ri.
Duke pasur parasysh kërkesën në ngritje për incizime dhe taksën bujare që ka vendosur shteti amerikan, New Yorku është kthyer në depo prodhimi, duke joshur edhe xhirimin e filmave joshës në skenën e madhe botërore. Madje po xhirohen edhe emisione të rëndësishme televizive që ia kanë dalë të rrokin vëmendjen e botës mbarë me fitimin e çmimeve të rëndësishme në botën e produksionit.
Vjet ishin xhiruar 332 filma në New York City, kanë bërë të ditur zyrtarët lokalë të kulturës. Më 1980, në qytetin njujorkez ishin xhiruar 121 sish.
Filmat dhe emisionet televizive kanë shpenzuar sivjet thuajse dy miliardë dollarë në shtetin njujorkez, duke ia kaluar edhe shifrës së përgjithshme prej 2.1 miliardë dollarësh gjatë krejt vitit 2013.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)
-
14 korrik 2019 20:54
-
Shpërndaje në: