Kulturë

Artistët me ultimatum institucioneve për sallën koncertale

Descriptive Text

Përfaqësues të komunitetit artistik nuk po e kapërdijnë lehtë humbjen e fondeve për projektin e ndërtimit të sallës koncertale në Prishtinë, e cila parashihej të zinte vend në ish-objektin e “Gërmisë”.

Ridestinimi i 15.4 milionë eurove sa ishin të parapara nga fondet e Bashkimit Evropian, përkatësisht 11.4 milionë siç e qartësoi Zyra e BE-së në Kosovë, është vlerësuar si pandjeshmëri e institucioneve qendrore dhe atyre lokale kundrejt nevojave për të ushtruar normalisht aktivitete muzikore, shkruan sot Koha Ditore.

Në konferencën për media të mbajtur të premten në Filarmoninë e Kosovës, përfaqësues të komunitetit muzikor iu kanë dhënë ultimatum institucioneve që të gjejnë një zgjidhje për sallën koncertale, në të kundërtën ata kanë paralajmëruar se do t’i pezullojnë aktivitetet e tyre muzikore.

Besa Luzha, profesoreshë e muzikës në Fakultetin e Arteve, ka thënë se është e indinjuar nga vendimi i fundit për ridestinimin e mjeteve të parapara për ndërtimin e sallës koncertale në Prishtinë. Ka thënë se mosmarrëveshjet mes institucioneve kanë bërë që të shuhen shpresat për një sallë të denjë koncertale për aktivitetet muzikore.

“Qëndrimi ynë i përbashkët është se nuk na intereson kush nuk e ka kryer detyrën apo kush e ka fajin, por ne mendojmë se të gjithë përgjegjësit duhet të ulen bashkë e të gjejnë zgjidhjen më të mirë të mundshme që të mos humbë ky donacion”, ka thënë Luzha.

(Shkrimin e plotë e gjeni në numrin e sotëm të “Kohës Ditore”)