Kulturë

“Besa” e Vjollca Robellit eksploron traditën

Një eksplorim në të kaluarën dhe traditën, ka shërbyer si bazë për bashkimin e elementeve të këngës më të re të Vjollca Robellit.

Valle nga treva të ndryshme shqiptare kanë qenë burim inspirimi i lëvizjeve të saj.

Këngëtarja e njohur me titullin artistik “AJO”, është rikthyer para publikut me videoklipin e këngës “BESA”.

Kur arti i saj muzikor prek traditën, ajo gjithnjë mundohet të nxjerrë anën më pozitive. Mbi këtë reflektim nga e kaluara, Robelli e ka krijuar edhe këtë këngë, transmeton emisioni Express në “KTV”.

Instrumentet tradicionale dominojnë në disa pjesë të këngëve që do t’i publikojë së shpejti e për të cilat këngëtarja ka bashkëpunuar me muzikantë të njohur nga vende të ndryshme të Evropës.

EP album i saj, do t’i përmbledhë gjashtë këngë të cilat lidhen me nostalgjinë, përvojën personale dhe traditën shqiptare.

Mes këngëve të reja, ajo do ta sjellë edhe “Zare”, si dhe këngë të vjetra shqiptare që përmes zërit të Vjollca Robellit vijnë të riaranzhuara. Me një stil ndryshe do të vijnë “Baresha” dhe “Oj Zogo”.

Eksperienca muzikore ndër vite, ka bërë që tashmë muzika e saj të zhvillohet drejt një horizonti të ri mirëpo rikthimin më të lehtë në skenë ia ka bërë jetëgjatësia e këngës “Ajo”, e publikuar 17 vjet më parë.

Këngëtarja Vjollca Robelli jeton në Londër ku edhe po zhvillon karrierën e saj muzikore, ndërsa në shtator do të kthehet me koncert në Prishtinë.