Albanologu Skender Gashi ka vdekur pasditen e së enjtes.
Gashi i lindur më 1942 në Mramor të Prishtinës, njihet si njëri prej studiuesve të zellshëm të albanologjisë. I doktoruar në salzburg ku mbrojti tezën e disertacionit për emrat e shqiptarëve gjatë shekujve XIV-XV, sipas burimeve kishtare serbe. Gashi që ishte punonjës i Institutit Albanologjik të Prishtinës nga viti 1980 deri më 2003 do të punonte si lektor i gjuhës shqipe në Vjenë. Atje edhe kishte botuar revistën shkencore “Dardania”
Veprat e tij më të njohura janë: “Fjalori toponimik kronologjik i Kosovës në vendbanime ekzistuese dhe vendbanime të zhdukura” në dy vëllime, ishte bashkautor i “fjalorit të fjalëve dhe shprehjeve popullore”, pastaj autor i veprës “Kërkime onomastike-historike për minoritete të shuara e aktuale të Kosovës”, shkruan Koha Ditore.
Këtë vit, Botimet KOHA ka botuar veprën e tij “Institucioni i fisit te shqiptarët, në dritën e onomastikës”. Në këtë botim autori mëton që në dritën e të dhënave onomastike e gjuhësore të nxjerrë në dritë edhe ndonjë segment, i cili do ta relativizonte idenë se institucioni mesjetar i fisit, si formacion social-juridik i mbështetur te lidhja e gjakut në vijën mashkullore, mund ta ketë atë kuptim e forcë sociale edhe në ditët tona.
Të dhënat për ceremoninë e varrimit të Gashit do të bëhen të ditura gjatë orëve në vazhdim.