Kulturë

“DokuFest” synon të zbërthejë të vërtetën nëpërmjet artit

“DokuFest” synon të zbërthejë të vërtetën nëpërmjet artit

Prishtinë, 25 qershor – E vërteta sivjet në Kosovë do të eksplorohet edhe nëpërmjet artit. Këtë do ta bëjë një prej festivaleve më të mëdha në rajon sa i përket kinematografisë. Të hënën kanë filluar që të shpalosen detaje të edicionit të 18-të të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”.

Si çdoherë, qyteti antik i Prizrenit do të jetë nikoqir i një prej ngjarjeve më të mëdha kulturore në vend. Këtë vit organizatorët e Festivalit kanë bërë të ditur se ngjarja do të mbahet nga 2 deri më 10 gusht. Përgjatë këtyre ditëve Prizreni do të bëhet përsëri qendër e kinematografisë. Në kuadër të edicionit të sivjetmë të “DokuFestit” vëmendja e filmbërësve, gazetarëve dhe ndjekësve të Festivalit do të jetë drejt së vërtetës.