Kulturë

Debutimi i More Raçës me film të gjatë, finalizon xhirimet e “Galaktika e Andromedës”

Regjisorja finalizon xhirimet e filmit “Galaktika e Andromedës”

Regjisorja More Raça, e cila me filmat e shkurtër bëri vend në skenën e festivaleve ndërkombëtare, e ka sfiduar veten edhe në film të gjatë.

Raça ka përfunduar xhirimet e filmit “Galaktika e Andromedës”, skenarin e të cilit e ka shkruar vetë ajo, transmeton emisioni Express në KTV.

Regjisorja shpalos detaje për rrëfimin e filmit, mesazhit që përcjell në ekran dhe aktorët në role kryesore.

"Galaktika e Andromedës" shtjellon historinë e një babai të prekur nga sëmundja e alzheimerit, që ballafaqohet edhe me telashe financiare. Filmi përcjell dramën e protagonistit në luftën që të mos harrohet nga vajza e tij.

Pritshmëritë e regjisores për filmin janë të mëdha, edhe pse është shumë herët të parashikohet suksesi.

More Raça, me filmin e shkurtër “Ajo”, e ka nisur mbarë rrugëtimin në festivale botërore. Me këtë film, ndër të tjera, mori çmim special në Kairo, në mesin e 3 mijë konkurrentëve.

"Ajo", në shkurt të këtij viti, e dërgoi regjisoren e re deri në festivalin prestigjioz të filmit në Berlinale.

Raça, tashmë ka bërë planet e saj për të ardhmen në industrinë e filmit.

Raça ka realizuar edhe filmin “Home”, që u shfaq edhe në festivale kualifikuese për “Oscars”.