Pejë, 13 qershor – Nën stendat e ngritura në qendër të qytetit të Pejës, të mërkurën, është hapur edicioni i gjashtë më radhë i Panairit të Librit “Peja 2019”.
Organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport dhe biblioteka “Azem Shkreli”, si dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës, kjo ngjarje është oferta treditore për adhuruesit e librit.
Panairin e ka hapur kryesuesi i Kuvendit Komunal të Pejës, Islam Husaj, i cili në ceremoninë e rastit ka thënë se Peja si qytet i kulturës dhe shkrimeve, ditë për ditë e më shumë po bëhet dashamirëse e librit.
Para të pranishmëve në ceremoninë e hapjes së Panairit kanë folur edhe disa krijues, e njëri prej tyre autori i 69 veprave letrare, Muhamed Kërveshi, i cili ka qenë goxha kritik për moslexim të librit.
Shengyl Kelmendi-Gashi, drejtoreshë e bibliotekës ”Azem Shkreli” në Pejë, si organizatore e këtij panairi, tha se në edicionin e gjashtë, prezantohen tituj të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Në këtë edicion, siç ka thënë ajo, pritet të prezantohen edhe shumë tituj të rinj të librave.
Sipas saj, ky edicion ka edhe një specifikë, pasi që u mundëson dashamirëve të librit, që të marrin pjesë në promovimet e autorëve ose t’i takojnë ata në stendat ku kanë ekspozuar veprat e veta.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")