Kulturë

“Gënjeshtarët e vegjël” në universin e përditshmërisë

Letërsia shqipe nuk është vetëm ajo e temave të mëdha rapsodike me bajlozë, por edhe një art i fjalës që depërton tek e thjeshta me pafund histori të zakonshme. Aty ku heronj janë të rëndomtit dhe përditshmëria e tyre. Ndryshe nga protagonisti i konsumuar me heroizëm e të bëma të mëdha gjatë letërsisë njëlineare të kohës së regjimit komunist, tani bota e njerëzve të “vegjël” shfaqet me një dimension të ri të psikologjisë njerëzore. Një situatë pa dramaticitete ideologjike dhe ku gënjeshtra bëhet aq e kudondodhur në përditshmërinë e njerëzve, shkruan sot Koha Ditore.

Romani më i ri i Fatos Kongolit “Gënjeshtarët e vegjël” ka si antihero personazhin Alpi, i cili rrëfen në vetën e parë dashuritë e tij, zhgënjimet, si dhe një univers të tërë përditshmërie ku njerëzit gënjejnë njëri-tjetrin.

“Në dukje mund të jetë një temë e vogël, por e trajtuar në mënyrë të jashtëzakonshme nga Kongoli, me psikologjinë e njeriut të thjeshtë dhe jo me heronj të mëdhenj”, ka thënë në fjalën e saj drejtoresha e shtëpisë botuese “Toena”, Irena Toçi, në promovimin e romanit “Gënjeshtarët e vegjël” të Kongolit, të premten, në ditën e tretë të Panairit të 21-të të Librit në Prishtinë. Interesimi i lexuesve për librin e shkrimtarit shqiptar bëri që të harxhoheshin të gjithë ekzemplarët e librit qysh në ditën e dytë të Panairit.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)