Mbijetesa e kujtesës është mbijetesë e vetë qenies njerëzore. Epopeja e Skënderbeut u ruajt nga një murg shkodran, por ky subjekt ka frymëzuar më vonë letrarët shqiptarë për fuqinë e mbijetesës së kujtesës kolektive. Kjo përpjekje për ruajtjen e kujtesës merr trajtë tek një frat katolik përballë një realiteti plot shkatërrime, djegie e dhunë. Në një projeksion fiktiv në kohën kur bota mesjetare shqiptare po përballej me perandorinë më të fuqishme të kohës, shkrimtarja Majlinda Bregasi thur sagën e mbijetesës së kujtesës, shkruan sot Koha Ditore.
Nëse dikur ajo kishte bërë intervistën “Rrno për me tregue” me atë Zef Pllumin, kjo sintagmë ngrihet në lartësitë e artistikes në romanin “Fillimi i një fundi”. Të premten mbrëma, në ditën e tretë të Panairit të 21-të të Librit në Prishtinë, shkrimtarja Majlinda Bregasi promovoi “Fillimin e fundit” bashkë me botimin në italisht të kësaj vepre me titullin “Manoscritto", sikurse edhe romanin më të ri “Gërsheti i prerë”. Profesoresha e Letërsisë Franceze, Nerimane Kamberi, ka folur për romanin “Fillimi i një fundi”, për të cilin ka thënë se përfaqëson më tepër se një roman historik.
“Ai shfaq fuqinë e letërsisë për të na transportuar nga një kohë në tjetrën, nga një epokë në tjetrën, nga një vend në tjetrin. Tregimi i një murgu në vetën e parë është i një kohe kur popullata shqiptare e krishterë kishte nisur të konvertohej në islamin e detyruar të osmanlinjve”, ka thënë ajo për veprën e botuar nga Botimet KOHA, ashtu sikurse edhe “Gërsheti i prerë”.(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)