Kulturë

Vallëzimi me ngjyra që kërkon lirinë e mohuar të femrës

Foto: Koha

Në Greqinë e vjetër lëvizjet e shfrenuara në vallëzim simbolizonin shpirtin e lirë përtej konvencave morale të shoqërisë.

Edhe në ritet e famshme dionisiake, vallëzimi me lëvizje të shpenguara, ndonjëherë edhe agresive, paraqiste një gjendje të veçantë lirie, shkruan sot “Koha Ditore”. Dhe sipas filozofit gjerman Nietzche, lëvizja dionisiake përbënte njërin skaj të ekzistencës së njeriut.

Një shpirt i tillë i femrës shqiptare në vallëzim spikat në dhjetë pikturat e formatit të madh në ekspozitën personale të piktores ferizajase Lebibe Topalli-Shabani, e hapur të enjten mbrëma në Galerinë e Ministrisë së Kulturës..

Të gjitha pikturat e përzgjedhura, me stil ekspresionist, përçojnë edhe protestën e artistes së re për pozitën e femrës shqiptare dhe kërkesën e vazhdueshme për barazi gjinore. Për këtë është edhe titulli i veçantë i ekspozitës “Freeling”, që, sipas autores, është një sajesë angleze e përbërë nga dy emra, që nënkupton “ndjenjën e lirisë”.

Sipas piktores Topalli-Shabani, pikturat e saj ekspresive paraqesin femra që e kërkojnë lirinë e tyre përmes vallëzimit. “Edhe arti mund të shërbejë si një instrument për të treguar sukseset tona si femra, guximin e forcën se femra është e barabartë dhe mundet të realizojë edhe punime të mëdha, të rrezikshme e me përgjegjësi”, ka thënë ajo.

Dhe e gjithë gjendja e rrëmbyer e femrës përcillet në mënyrë mjeshtërore me përdorim të theksuar e të ndezur të ngjyrave. Për ligjëruesin në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, Kamuran Goranci, ekspozita reflekton tipin ekspresiv, kërkues e këmbëngulës të vetë artistes.

“Zonja Topalli me mjaft optimizëm dhe vendosmëri shpreh lirinë dhe sensin e saj kritik dhe vetëkritik”, ka thënë Goranci, njëherësh kurator i ekspozitës.

Në të gjitha pikturat e artistes së re pikaset e bardha shkëlqyese e veshjes tradicionale të femrës shqiptare, xhamadani me thekët e verdhë dhe shamia e kuqe.

Sipas piktorit Visar Mulliqi, piktorja Topalli-Shabani di të shtjellojë mirë tradicionalen shqiptare/ Salih Mehmeti.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)