Këta studentë i ka bashkuar interesimi për okarinën. Ata tashmë dinë shumë për historikun e këtij instrumenti, mënyrën se si ndërtohet dhe se si interpretohet me të.
Rreth katërdhjetë nxënës u bënë pjesë e sesionit të tretë të punëtorisë për okarinën, organizuar nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS), transmeton emisioni Express në KTV.
Shaqir Hoti, i cili tërë jetën ia ka dedikuar instrumentit shekullor të okarinës, vazhdon edhe sot të hulumtojë për të.
Ai u ka shpjeguar studentëve, procesin e ndërtimit të këtij instrumenti, nga faza e parë deri në finalizim.
Studentët e konsiderojnë të rëndësishme punëtorinë që u ka mundësuar të shohin nga afër procesin e ndërtimit të këtij instrumenti.
Kjo punëtori zuri vend në hapësirat e Kolegjit AAB dhe profesori Kushtrim Jakupi thotë se është koha e fundit që vëmendja të kthehet te tradita muzikore.
Punëtoria për okarinën u zhvillua në kuadër të një projekti që synon promovimin dhe ndërgjegjësimin mbi Trashëgiminë Kulturore Jo-materiale në Kosovë. Projekti implementohet nga UNDP-ja dhe është financuar nga Instrumenti i Bashkimit Evropian që kontribuon për Stabilitet dhe Paqe (ICSP).
Ky projekt do të zgjasë deri në fund të muajit qershor kur edhe do të kurorëzohet me një jazz-koncert me tinguj të okarinës.