Kulturë

“The Van” për Shqipërinë e trazuar pret “Palmën e Artë”

Një furgon tipik i Shqipërisë së viteve ’90 hap derën dhe prej tij del Beni me fytyrën e ënjtur dhe të gjakosur. Tani është e mundur liria e tij për t’u arratisur tej e tej Shqipërisë, çmim që e ka paguar me grushte.

Ky është syzheu i filmit 15-minutësh “The Van” (Furgoni) i regjisorit Erenik Beqiri, i cili sot (e premte) jepet premierë botërore në edicionin e 72-të të Festivalit të Cannes. Ky prodhim i përbashkët shqiptaro-francez shënon edhe një rekord për kinematografinë shqiptare: është hera e parë që një film shqiptar konkurron për çmimin prestigjioz, “Palmën e Artë”.

Nën drejtimin e regjisores së njohur franceze Claire Denis, "Cinéfondation” dhe Juria e Filmave të Shkurtër do të vlerësojë realizimin e kineastit shqiptar, i cili është në mesin e 11 filmave të shkurtër të përzgjedhur nga 4.240 realizime të tjera filmike nga e gjithë bota, sa kanë konkurruar për këtë kategori. Gara e sivjetme e filmave të metrazhit të shkurtër përfshin 9 filma, 1 dokumentar dhe 1 animacion, që pos Shqipërisë vijnë nga Argjentina, Franca, Finlanda, Greqia, Izraeli, Ukraina, Suedia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çmimet do të ndahen në ceremoninë përmbyllëse të shtunën.

“The Van” u mundësua nga bashkëpunimi mes producentëve të “Origine Films” (Olivier Berlemont dhe Émilie Dubois) dhe atyre të “Anima Pictures” (Ermir Keta dhe Amantia Peza). Roli kryesor i Benit i është besuar aktorit të ri francez Phénix Brossard, që ka bërë emër në filmat “La lisiere”, “Departure”, “Vaurien”. Aty interpreton edhe dyshja nga Kosova Arben Bajraktaraj – me karrierë të bujshme ndërkombëtare si në “Taken”, “Harry Potter and the Deathly Hallows” e “Harry Potter and the Order of the Phoenix” – si dhe Afrim Muçaj. Kastën e aktorëve e përbëjnë edhe Lulëzim Zeqaj, Romir Zallaj, Elvin Minaj dhe Ismail Keta.

Me skena të xhiruara në Tiranë, përkatësisht te “Komuna e Parisit” dhe pranë autostradës Tiranë-Durrës, filmi 15-minutësh i Erenik Beqirit trajton ethet e arratisjes nga Shqipëria....(Më gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")