Kulturë

“Larondina” thërret për gjithëpërfshirje në shoqëri

Me tingujt e veprës së Beethovenit, “Për Elizën“, Medina Surdulli u ka uruar mirëseardhje 12 anëtarëve të grupit të vallëzimit nga Anglia, “Larondina”. Duke vazhduar me ekzekutimin e “Asaman o Trëndafili i Çelës”, atmosfera në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë, nisi të nxehej të mërkurën në mbrëmje. Duke vazhduar me grupin nga Anglia, edhe publiku nisi të bëhej pjesë e shfaqjes.

Ishte grupi i vallëzimit “Larondina”, i përbërë nga 12 anëtarë të cilët kishin ardhur nga Anglia, nën koreografinë e Angelina Alessandre, që krijoi një atmosferë të këndshme për publikun kosovar. Një udhëtim nëpër kohë duke lëvizur nga një periudhë klasike e vallëzimit deri tek vallëzimi modern i ditëve të sotme. Sikur në skenë performonin valltarë të të gjitha shteteve të botës, e që po përfaqësonin vendin e tyre përmes vallëzimit. Por në fakt ky formacion prej 12 anëtarëve, të gjithë nga Anglia, kishte adaptuar në mënyrën më të mirë të mundshme llojet e vallëzimeve nga vende të ndryshme të botës. Fillonte me një tango argjentinase, për të vazhduar me rumba kubaneze, duke arritur tek tarantela që të çonte në Itali, e duke përfunduar me valsin vjenez. E gjithë mbrëmja krijonte ndjesinë e të qenit në një hapësirë ku vallëzimi dhe muzika i japin një tjetër dimension të gjithë personave pa pasur limite e kufizime.

E ky ishte programi ku publiku kosovar pati rastin të përcjellë grupin e valltarëve “Larondina” të cilët janë nga komuniteti me sindromën Down, e që udhëtuan nga Anglia për të qenë prezent në Kosovë.

Angelina Alessandre e cila është koreografe dhe drejtoreshë artistike e grupit të vallëzimit nga Anglia, shpjegoi se sa rëndësi ka gjithëpërfshirja e këtyre personave në shoqëri.

“Është shumë e rëndësishme. Ne vallëzuam që t’ju tregojmë njerëzve që njerëzit me nevoja të veçanta të jenë më shumë të përfshirë në shoqëri. Ata janë të gjithë sikur ne. Ata kanë ndjenja, ata janë njerëz të këndshëm, ata mund të jenë njerëz me humor të mirë, mund të jenë të mërzitur, ata nuk janë ndryshe nga ne, e të cilët duhet sa më shumë të jenë të përfshirë në shoqërinë tonë. Ata janë njerëz të mrekullueshëm mbi të gjitha”, ka thënë ajo.

Ky është turi i parë për grupin nga Anglia që vijnë në Kosovë, ku për pjesën organizative është përkujdes shoqata “Down Syndrom Kosova”.

Koordinatorja e shoqatës ‘DSK’, Ermira Shabani shpjegon për përpjekjen e shoqatës, që të ndikojë në zhvillimin e aftësive te këta persona.

“Ne si shoqatë mundohemi që të rinjtë tanë, por edhe fëmijët t’i aftësojmë në edukimin jo formal. Të themi në gjëra artistike: sport, apo aktivitetet të tjera. Duke e marrë parasysh situatën e përgjithshme në Kosovë, por edhe vështirësitë që i hasim në sektorin tonë, në sektorin e aftësisë së kufizuar është shumë e vështirë të punojmë në këtë fushë, kur nuk kemi një mbështetje specifike dhe të vendosur nga institucionet shtetërore, që realisht do duhej të ishin akterët kryesor, që një gjë e tillë të bëhej nga të rinjtë me sindromën Down që jetojnë në Kosovë”, ka deklaruar ajo.

Shabani shton edhe për fuqinë dhe mesazhin që ka dhënë performanca, ku mbi të gjitha ka qenë ndërgjegjësimi i shoqërisë kosovare karshi personave me sindromën Down.

“Ne si ‘Down Syndrom Kosova’ patëm kënaqësinë që para publikut kosovar ta sjellim një perfomancë të tillë. Përveç aspektit artistik që paraqiti performanca, ka pas edhe mesazhin mbrapa, i cili ka për qëllim të ndërgjegjësojë shoqërinë kosovare sa i përket potencialit të personave me sindromën Down. Vetë fakti që kur punohet me vullnet dhe përkushtim arrihen të tilla gjëra është madhështore. Prandaj për neve mbetet një kënaqësi, por në të njëjtën kohë do të jetë edhe një sfidë”, ka thënë ajo.

Ardhja e grupit “Larondina” është nder edhe për Alban Fejzën që është menaxher marketingu në ‘Down Syndrome Kosova’.

“Si ‘Down Syndrome Kosova’ jemi të nderuar me ardhjen e grupit ‘Larondina’. Sot ka qenë shfaqja e dytë e dhënë për publikun, të martën është shfaq në Ferizaj për herë të parë”, ka thënë ai. Të enjten, shfaqja vazhdoi në Prizren.

Prindërit e fëmijëve kosovarë të prekur me këtë sindromë mbetën të kënaqur me shfaqjen. Sipas tyre, sikur të ketë koreografi për kosovarët, mund t’ua kalonin edhe grupeve të huaja.

“Duhet me qenë falënderues për koreografen, që a kanë qenë vullnetarë a kush i ka organizuar nuk e di, veç pa koreografen nuk kishin bë kurrgjë. Kemi ne talente edhe shumë ma të mirë se britanikët, mirëpo mungon koreografia, mungojnë koreografët, mungon angazhimi. Se sigurisht do të mund edhe t’ua kalonim. Shfaqja ka qenë fenomenal”, ka thënë një prej tyre.

Shoqata “Down Syndrome Kosova”, sipas koordinatores Shabani, është hapur nga marsi i vitit 2007. Ajo shpjegon se numri i personave me sindromën Down është mbi 950, ku në fakt si numër është në statistikat e qendrës së DSK. Megjithatë, ata dyshojnë që numri mund të jetë më i madh, pasi për arsye të ndryshme nuk ka regjistrim të numrit të saktë të këtyre personave.