Kulturë

Musë Prelvukaj, gjysmë shekulli në rrugën e artit pamor

Banesa e tij i ngjan një atelieje, ndërsa muret e dhomës duken si ato të galerive. Në këtë hapësirë e kalon ditën Musë Prelvukaj.

Vijat e errëta janë ato që dominojnë gjithë hapësirën e bardhë ku hedh ngjyrë. Përmes këtij kontrasti, ai krijon kompozicione e figura të ndryshme. Ato duken sikur lëvizin në bashkëveprim me njëra-tjetrën e tentojnë të flasin për lashtësinë, raporton “Express” i KTV-së.

Prelvukaj i përket gjeneratës së parë të të diplomuarve në Akademinë e Arteve në Prishtinë, ndërsa bart bagazhin gjysmëshekullor dedikuar pikturës e vizatimit.

Talenti i tij u dallua herët dhe muret e shkollës u bënë vendi ku i ekspozoi për herë të parë veprat. Artisti nga Martinaj i Gucisë i ruan këto kujtime.

Përmes shprehjes së gjallë të vijave, dramaticitetit dhe elementeve analitike me shkronja e simbole, ai ka krijuar disa cikle me vepra.

Motivet e vizatimeve në teknikë të kombinuar, i kanë rrënjët te vendlindja dhe populli i tij.

Ai thotë se për t’i përmbledhur punimet e tij në një ekspozitë personale, i duhen vite dhe kjo është arsyeja që ka vetëm tri të tilla, megjithatë punimet e tij kanë rrugëtuar në dhjetëra ekspozita kolektive.

Artisti, i cili numëron disa shpërblime për punën e tij artistike, ka lënë pas vetes më shumë se katër dekada punë pedagogjike në Shkollën Teknike “28 Nëntori” në Prishtinë.

Është bashkautor i një monografie për shkollën ku ka punuar, ndërsa tani po shkruan dhe një jetëshkrim.

Ai e ka dhe një pasion tjetër. Qysh herët kishte filluar të koleksiononte pulla postare, shenja e pllaka të gramafonit dhe koleksioni i tij përfshin edhe një numër të madh të gazetave.

Musë Prelvukaj jeton i pensionuar në Prishtinë dhe e ka në plan që punimet e tij t’i përmbledhë në një ekspozitë retrospektive në 70-vjetorin e lindjes.